Aktualitet

Sondazhi i TAR/ A rrezikon realisht Shqipëria nga shitja e të dhënave pas sulmit kibernetik? Ja çfarë mendojnë shqiptarët!

Prokuroria shqiptare ka pranuar për herë të parë se publikimi i dokumenteve nga hakerat iranianë ka cënuar sigurinë kombëtare. Në sondazhin e TAR, ne kemi pyetur se sa mendojnë shqiptarët se ky sulm dhe shitja e të dhënave na rrezikon realisht.

Më shumë se gjysma, 75% kanë votuar për PO, teksa pjesa tjetër kanë qenë të ndarë në mënyrë të barabartë 13% për JO dhe 13% për Nuk e di.

Sulmet kibernetike të Iranit dhe ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike që pasoi ishin mes temave për të cilat foli kryeministri Edi Rama në një intervistë në emisionin “Wake Up America”, në televizionin amerikan Newsmax, gjatë një vizite në Nju Jork.

I pyetur në lidhje me sulmin kibernetik nga Irani, Rama u shpreh:

Dua ta bëj shumë të qartë që nuk jam unë që e kam akuzuar Iranin, por kemi prova, mbështetur në një punë mjaft të imët të ekspertizës ligjore të superskuadrës Microsoft për zbulimin e kërcënimeve, si dhe superskuadrës së agjencive të specializuara amerikane, ku është provuar se pas këtij sulmi është Irani, shteti, Republika Islamike e Iranit, e cila ka sponsorizuar 4 grupe, një prej të cilëve është një prej grupeve kryesore të terrorit kibernetik që qëndron pas sulmeve kundër Arabisë Saudite, Izraelit, Kuvajtit e kështu me radhë. Kështu që nuk është akuzë, është fakt.

Kuptuam që ishte koha për të ndërprerë çdo lloj marrëdhënie me këtë regjim, sepse aktualisht nuk mund të lejonim më që ambasada të vazhdonte të ishte në mes të kryeqytetit e të punonte si qendër operative për të dëmtuar vendin tonë.