Rajoni

Sot betimi i Presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviç/Presidenti Begaj i pranishëm!

Në Malin e Zi sot bën betimin Presidenti i ri i Republikës, Jakov Milatoviç. Pjesa qendrore e kryeqytetit Podgoricë është bllokuar nga mëngjesi e po kështu dhe rruga për në aeroport. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, si dhe betimit, Milatoviç do të mbajë fjalimin inaugurues. Më pas pritet të zhvillohet përshëndetja ceremoniale ushtarake, para selisë së Parlamentit të Malit të Zi.

Milatoviç do të shtrojë një drekë për të ftuarit dhe në orët e vona të pasdites, në Vilën “Gorica”, ai dhe bashkëshortja do të presin rreth 700 të ftuar, mes tyre presidentët e Shqipërisë e të Kosovës, Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani. Prania e presidentit serb, Aleksander Vuçiç nuk është konfirmuar.

Presidenti i Malit të Zi zgjidhet çdo pesë vjet, ndërsa të gjitha ceremonitë e mëparshme të inaugurimit janë bërë në Cetinë.

37-vjeçari Jakov Milatoviç bëhet presidenti i parë që nuk është nga Partia Demokratike e Socialistëve e Milo Gjukanoviçit dhe që në pushtet qëndroi për tre dekada, deri në gusht të vitit 2020, kohë kur humbi zgjedhjet.

Milatoviç, një nga liderët e Lëvizjes “Evropa Tani”, e themeluar një vit më parë, në politikën malazeze ka qenë prej tre vjetësh kur u emërua ministër pas largimit nga pushteti të DPS-së.

Në garën presidenciale, pati mbështetjen e partive në pushtet, Frontit Demokratik pro-Rus, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare “URA”. Që nga fillimi i viteve ‘90-të, Gjukanoviç ka qenë gjashtë herë kryeministër dhe dy herë president i Malit të Zi.

Humbje pas humbjeve në betejat zgjedhore, Gjukanoviç dha dorëheqjen edhe nga posti i kryetarit të partisë.

Ditët e fundit, ai dhe Milatoviç zhvilluan dy takime si pjesë e procedurës së dorëzimit të detyrës, pas të cilave theksuan se Mali i Zi është shembull i mirë i tranzicionit demokratik të pushtetit.

Ndryshimi i kreut të shtetit vjen para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të planifikuara për më 11 qershor.