Aktualitet

Sot nis regjistrimi i popullsisë dhe banesave!

Sot nis Censi i popullsisë dhe banesave, që do të zgjasë deri në datën 28 tetor. Janë 8 mijë anketues që pritet të trokasin derë më derë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë për të marrë në pyetje të gjithë qytetarët e vendit.

Formulari do të plotësohet në formë elektronike përmes një tableti që është gati. Ai përmban tetë module, të cilat synojnë mundësimin e krijimit të një panorame të plotë të situatës sociale, ekonomike dhe demografike të popullsisë shqiptare.

Rezultatet e para do të shpallen pranverën e ardhshme, në prill 2024. Ato finale priten brenda shtatorit 2024. Censi duhej të ishte realizuar në vitin 2020, por për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe problematikave të tjera u shty me tre vite. Kujtojmë se regjistrimi më i fundit është zhvilluar në vitin 2011, kur rezultoi se popullsia ishte 2,821,977,  me një rënie prej 8% nga viti 2001.

Kryeministri Rama ka theksuar rëndësinë e këtij procesi dhe nevojën që të kryhet sipas standardeve të BE-së. Shefi i qeverisë nënvizoi se është me rëndësi që numri i shqiptarëve që jetojnë në vend të jetë real.

Komuniteti Mysliman Shqiptar apeloi të deklarohet përkatësia fetare:

Thirrje. Të dashur besimtarë, praktikantë ose jo. Nesër, datë 18 shtator 2023, në të gjithë Shqipërinë do të nisë Censusi, Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave të të gjithë shqiptarëve.  Ky është një proces tepër i rëndësishëm, pasi në të do të deklarohet edhe përkatësia fetare e çdo individi.  Megjithëse kjo pjesë është lënë “deklarim me dëshirë”, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju bën thirrje dashamirëse të gjithë besimtarëve, qofshin praktikantë ose jo, të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare duke iu përgjigjur pyetjes, ‘cila është feja ose besimi që ndjek ose i përket’, të shënoni: “Mysliman”. Deklarojeni me krenari besimin tuaj dhe sigurohuni që regjistruesi ta hedhë saktë në tabelën elektronike, ashtu siç ju e deklaroni. Thirrja nuk është për numra, është për krenari e dinjitet të besimit të secilit.

Një thirrje ka ardhur edhe nga Kisha Ort’hodokse.