Aktualitet

Sot rinisin të gjitha fluturimet në Rinas, TIA publikon oraret; ja si kanë ndryshuar

Sot rifillojnë fluturimet komerciale në të gjitha linjat e fluturimeve në Rinas. Aeroporti Nënë Tereza, ka postuar në rrjete sociale fluturimet, ndërsa thekson se oraret e publikuara janë ndryshuar nga kompanitë ajrore. Gjithashtu, udhëtarëve u kërkohet të kontaktojnë kompanitë përkatëse ajrore përpara udhëtimit dhe shtetet pritëse për rregullat e karantinës ndërsa maskat janë të detyrueshme gjatë udhëtimit.

Tirana International Airport njofton se fluturimet e konfirmuara për ditën e Premte, datë 9 Prill janë sipas linkut referuar në këtë postim. Oraret janë subjekt ndryshimi nga kompanitë ajrore. Dy fluturimet e sotme që nuk u bënë, Bergamo dhe Dortmund, do të bëhen nesër sipas orarit të mësipërm. Ju lutemi pasagjerëve të këtyre dy fluturimeve që të paraqiten nesër në TIA me të njëjtën biletë. Ju lutemi të gjithë pasagjerëve të kontaktojnë kompanitë ajrore përpara udhëtimit dhe shtetet pritëse për rregullat e karantinës dhe të respektojnë protokollet e higjenës. Maskat janë të detyrueshme. Lejohen të udhëtojnë vetëm rezidentët në Bashkimin Europian, nënshtetasit EU dhe qytetarët që plotësojnë kushtet e udhetimit, sipas vendeve pritese. Në lidhje me afatin e tamponit, ju lutem kontaktoni kompanitë ajrore nëse do të pranojnë tamponin që keni bërë. Pranimi i tamponit, është subjekt i kompanive me të cilat fluturoni”, thuhet në njoftim.

Puna në Rinas ishte ndërprerë prej dy ditësh si pasojë e një greve të kontrollorëve ajror që protestonin kundër përgjysmimit të pagave. Aktualisht në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza po punojnë kryesisht kontrollorë turq dhe grekë.Ndërkohë janë rikthyer në punë edhe një pjesë e kontrollorëve shqiptarë.