Auto & Moto Tech

‘Stellantis’ paralajmëron për mungesën e baterive për makinat elektrike!

Carlos Tavares, shefi ekzekutiv i kompanisë ‘Stellantis’, prodhuesja e modelit të makinave Jeep, iu bashkua së fundmi zërave se në të ardhmen do të ketë mungesë së baterive për makinat elektrike. Sipas paralajmërimit kjo do të ndodhë nëse nuk fillon prodhimi i këtyre baterive në Evropë dhe Amerikë, mungesë e cila do të thoshte se kompania në fjalë nuk do të mund të fillojë prodhimin e makinave elektrike.

Tavares tha se:

Mund të parashikojmë se diku rreth viteve 2025 dhe 2026 do të mund të kemi një mungesë të baterive të makinave. Nëse nuk do të ketë mungesa të këtyre baterive, atëherë perëndimi do të varej shumë nga tregu aziatik.

Tavarez theksoi se në rast se kjo do të ndodhte, çmimi i makinave elektrike do të mbetej i lartë. Ndërkaq, ai ka shtuar se mundësitë e përballimit të blerjes së makinave elektrike do të ishin shumë më të vogla për shumë konsumatorë dhe ulja e kërkesave për blerjen e tyre do të dëmtonte shumë prodhuesit e makinave, duke përfshirë këtu edhe kompaninë ‘Stellantis’.

Si pasojë, edhe mundësitë për të punësuar njerëz të tjerë do të ishin shumë më të vogla. Tavarez ftoi shtetet perëndimore që ta ndërrojnë qasjen e tyre për të ardhmen pa karbon, duke përfshirë këtu edhe sigurimin e lëndës së parë për prodhim të baterive, prodhim të energjisë së pastër dhe ndërtimin e stacioneve për rimbushjen e makinave elektrike.