Tech Top Tech - News

Siri i ri do t’ju habisë/Nga iPhone i ri i palosshëm te taksia nga Rivian & Audi me ‘bishën’ e re…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Apple WWDC 2026 (Siri AI, iOS 27, Apple Intelligence)

Apple sapo ka prezantuar Sirin e ri. Pas shumë vitesh që na përgjigjej si një praktikant që kishte humbur Wi-Fi-n, duket se asistentja më e famshme e iPhone-it më në fund po merr një update serioz.

Në konferencën WWDC 2026, Apple prezantoi një valë të madhe risish për Siri, Apple Intelligence dhe iOS 27. Dhe për herë të parë pas shumë kohësh, kompania nuk po flet vetëm për funksione të reja, por edhe për rregullimin e gjërave që përdoruesit ankoheshin çdo ditë.

Ylli i prezantimit ishte Siri i ri, i ndërtuar me ndihmën e modeleve Gemini të Google. Sipas Apple, Siri tani do të jetë më bisedues, më i zgjuar dhe më i aftë të kuptojë kontekstin mes aplikacioneve.

Apple Intelligence po zgjerohet gjithashtu në të gjithë sistemin. Telefoni do të kuptojë më mirë informacionet gjatë telefonatave dhe Safari do të organizojë faqet më me zgjuarsi. Pra, ndoshta nuk do të kemi më 47 faqe të hapura.

Ndërkohë, iOS 27 sjell widget-s të ri, transferime AirDrop më të shpejta dhe performancë më të mirë. Apple premton se fotot do të shfaqen deri në 70 për qind më shpejt pasi e kap atë. Një lajm fantastik për ata që hapin galerinë vetëm për të gjetur një foto dhe përfundojnë duke parë kujtimet e vitit 2018.

Kompania prezantoi edhe kontrolle të reja për prindërit, përmirësime të mëdha në kërkim, si dhe funksione të reja për aplikacionin Health.

Në fund të WWDC, Tim Cook përshëndeti publikun për herë të fundit si CEO i Apple. Pas më shumë se një dekade në krye, ai u largua me një mesazh të thjeshtë: “Skeni parë gjë akoma.” Tani mbetet të shohim nëse edhe Siri është dakord me këtë.

Anthropic Claude Fable 5

Anthropic prezantoi Claude Fable 5, versionin e parë publik të modelit të saj më të avancuar, të njohur si Mythos. Deri tani, ky model ishte i rezervuar për organizata të përzgjedhura.

Sipas Anthropic, Fable 5 shkëlqen në programim, analizë informacionesh dhe kuptim të imazheve. Por ka një kusht të madh: kur pyetjet futen në fusha të ndjeshme si siguria kibernetike, biologjia apo kimia, modeli vendos

frenat menjëherë dhe kalon tek një version më i kufizuar.

Arsyeja? Anthropic thotë se po përgatitet për një botë ku inteligjenca artificiale mund të përmirësojnë vetveten pa ndihmën e njerëzve. Po, tingëllon si fillimi i një filmi fantastiko-shkencor.

Kompania testoi modelin për më shumë se një mijë orë kundër tentativave për ta mashtruar dhe pretendojnë se nuk u gjet asnjë mënyrë universale për të thyer kufizimet e tij. Një rezultat që për botën e AI është pakashum si ti japësh biçikletës pa duar dhe të mos përfundosh në një shkurre.

Megjithatë, ka edhe një detaj që mund t’i bëjë njerëzit të mendohen dy herë: çmimi. Fable 5 kushton dy herë më shumë se versioni i mëparshëm. Me sa duket, edhe inteligjenca artificiale po ndjek inflacionin.

Një gjë është e sigurt: gara për AI më të fuqishme po hyn në një nivel krejt tjetër. Dhe ne sapo morëm një biletë për ta parë nga afër.

Rivian R2 SUV

E mbani mend kohën kur makinat elektrike na premtonin të ardhmen, por kushtonin sa një apartament me pamje nga deti? Epo, Rivian sapo ka hyrë në fazën ku po përpiqet ta sjellë të ardhmen pak më afër xhepit të njerëzve të zakonshëm.

Kompania amerikane ka nisur zyrtarisht dorëzimet e para të modelit të ri R2, një SUV elektrik që Rivian e quan produktin më të rëndësishëm që kanë lançuar ndonjëherë. Dhe kur një kompani thotë “më i rëndësishmi”, zakonisht do të thotë se ose do t’i çojë drejt suksesit të madh, ose do t’u japë disa net pa gjumë departamentit financiar.

R2 është në thelb vëllai më i vogël i modelit luksoz R1. Ka të njëjtin stil aventurier, por me përmasa më praktike dhe një çmim më të arsyeshëm. Aktualisht fillon rreth 58 mijë dollarë, ndërsa Rivian premton versione nën 50 mijë dollarë dhe madje afër 45 mijë dollarëve në vitet e ardhshme.

Por historia bëhet edhe më interesante. Rivian nuk e sheh R2 vetëm si një makinë. Kompania dëshiron që një ditë kjo makinë të drejtojë vetveten. Po, ideja është që në të ardhmen të hipësh brenda, të ulesh rehat dhe makina të bëjë gjithë punën. Ëndrra e çdo njeriu që ka ngecur në trafik dhe ka filluar të negociojë me semaforin.

Madje Uber ka nënshkruar një marrëveshje që mund të sjellë deri në 40 mijë R2 në rrjetin e tij si robotaksi. Imagjinoni të porosisni një taksi dhe të vijë një makinë pa shofer. Në atë moment ose do të ndiheni në vitin 2035, ose do të kontrolloni dy herë nëse aplikacioni ka ndonjë problem.

Ndërsa disa prodhues po tërhiqen nga planet për makinat elektrike, Rivian po shtyp gazin. Dhe nëse R2 arrin objektivat e shitjeve, mund të bëhet një nga sukseset më të mëdha në historinë moderne të automjeteve elektrike.

iPhone i palosshëm (Apple foldable)

Ka dy lloje njerëzish në botë: ata që e hapin telefonin vetëm për të parë mesazhet, dhe Apple, që mesa duket po përgatitet të na japë një telefon që hapet si libër.

Pas vitesh thashetheme, parashikimesh dhe “burimesh shumë të sigurta”, duket se iPhone-i i palosshëm mund të jetë më afër se kurrë. Disa persona kanë zbuluar referenca interesante brenda versionit beta të iOS 27, të cilat sygjerojnë se Apple po përgatit sistemin operativ për një pajisje që mund të hapet dhe mbyllet.

Mes kodeve të zbuluara gjenden terma që lidhen me këndin e hapjes së pajisjes, gjendjen e palosjes dhe numrin e ekraneve aktive. Me fjalë të tjera, iOS tani duket se di të kuptojë nëse telefoni është i mbyllur, gjysmë i hapur apo i hapur plotësisht.s

Ndërkohë, Samsung dhe Huawei prodhojnë telefona të palosshëm prej më shumë se pesë vitesh. Kështu që Apple po hyn në një festë që ka nisur prej kohësh. Por si gjithmonë, strategjia e Apple është të mbërrijë vonë dhe të sillet sikur festa filloi kur erdhi ajo.

Pritshmëritë janë të larta, veçanërisht për trashësinë e pajisjes. Askush nuk dëshiron një telefon që duket si një sanduiç në xhep. Këtu Apple ka një avantazh, pasi iPhone Air i vitit të kaluar ishte jashtëzakonisht i hollë dhe teknologjia e përdorur mund të ndihmojë edhe modelin e palosshëm.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, shtatori mund të na sjellë një nga produktet më të rëndësishme të Apple në vitet e fundit. Dhe për herë të parë, pyetja nuk do të jetë “çfarë iPhone ke?”, por “sa herë e palos në ditë?”

Audi Nuvolari

Audi ka zbuluar Nuvolari-n e ri, supermakinën më të fuqishme dhe më të shpejtë që ka prodhuar ndonjëherë. Dhe jo, nuk po flasim për një makinë që thjesht duket bukur në Instagram. Po flasim për një përbindësh me 1,001 kuaj fuqi, më shumë se një Lamborghini Temerario dhe mjaftueshëm për të transformuar patentën tuaj në një dokument me rrezik të lartë.

Makina është pasardhësja e legjendës R8 dhe mban emrin e pilotit italian Tazio Nuvolari. Audi ka kombinuar një motor V8 biturbo me tre motorë elektrikë dhe teknologji të frymëzuar nga Formula 1. Rezultati? 0 në 100 kilometra në orë për vetëm 2.6 sekonda. Kaq shpejt sa navigimi ende po përpiqet të kuptojë ku ndodhesh.

Dizajni është agresiv, futuristik dhe i ndërtuar kryesisht me fibër karboni për të ulur peshën. Ka edhe një fletë që ngrihet dhe ulet automatikisht. Për mendimin tim para nuk duket bukur, kurse pas është e lezetshme.

Brenda, Audi ka zgjedhur një filozofi interesante: më pak ekrane dhe më shumë fokus te drejtimi makinës. Një ide revolucionare në një epokë ku disa makina duken si iPad gjigantë me rrota.

Sigurisht, ka një lajm të keq. Do të prodhohen vetëm 499 copë dhe çmimi pritet të kalojë 600 mijë dollarë. Pra, nëse po kontrolloni tani llogarinë bankare, ndoshta mos e lodhni veten.

Megjithatë, Nuvolari tregon diçka interesante: ndërsa shumë marka po vrapojnë drejt elektrifikimit total, Audi sapo na kujtoi se motori V8 ende nuk ka thënë fjalën e fundit.