Tech Top Tech - News

Nga makinë elektrike në robotaksi: Rivian R2 nis kapitullin e ri të kompanisë!

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Rivian R2 SUV

E mbani mend kohën kur makinat elektrike na premtonin të ardhmen, por kushtonin sa një apartament me pamje nga deti? Epo, Rivian sapo ka hyrë në fazën ku po përpiqet ta sjellë të ardhmen pak më afër xhepit të njerëzve të zakonshëm.

Kompania amerikane ka nisur zyrtarisht dorëzimet e para të modelit të ri R2, një SUV elektrik që Rivian e quan produktin më të rëndësishëm që kanë lançuar ndonjëherë. Dhe kur një kompani thotë “më i rëndësishmi”, zakonisht do të thotë se ose do t’i çojë drejt suksesit të madh, ose do t’u japë disa net pa gjumë departamentit financiar.

R2 është në thelb vëllai më i vogël i modelit luksoz R1. Ka të njëjtin stil aventurier, por me përmasa më praktike dhe një çmim më të arsyeshëm. Aktualisht fillon rreth 58 mijë dollarë, ndërsa Rivian premton versione nën 50 mijë dollarë dhe madje afër 45 mijë dollarëve në vitet e ardhshme.

Por historia bëhet edhe më interesante. Rivian nuk e sheh R2 vetëm si një makinë. Kompania dëshiron që një ditë kjo makinë të drejtojë vetveten. Po, ideja është që në të ardhmen të hipësh brenda, të ulesh rehat dhe makina të bëjë gjithë punën. Ëndrra e çdo njeriu që ka ngecur në trafik dhe ka filluar të negociojë me semaforin.

Madje Uber ka nënshkruar një marrëveshje që mund të sjellë deri në 40 mijë R2 në rrjetin e tij si robotaksi. Imagjinoni të porosisni një taksi dhe të vijë një makinë pa shofer. Në atë moment ose do të ndiheni në vitin 2035, ose do të kontrolloni dy herë nëse aplikacioni ka ndonjë problem.

Ndërsa disa prodhues po tërhiqen nga planet për makinat elektrike, Rivian po shtyp gazin. Dhe nëse R2 arrin objektivat e shitjeve, mund të bëhet një nga sukseset më të mëdha në historinë moderne të automjeteve elektrike.