Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Audi Nuvolari
Audi ka zbuluar Nuvolari-n e ri, supermakinën më të fuqishme dhe më të shpejtë që ka prodhuar ndonjëherë. Dhe jo, nuk po flasim për një makinë që thjesht duket bukur në Instagram. Po flasim për një përbindësh me 1,001 kuaj fuqi, më shumë se një Lamborghini Temerario dhe mjaftueshëm për të transformuar patentën tuaj në një dokument me rrezik të lartë.
Makina është pasardhësja e legjendës R8 dhe mban emrin e pilotit italian Tazio Nuvolari. Audi ka kombinuar një motor V8 biturbo me tre motorë elektrikë dhe teknologji të frymëzuar nga Formula 1. Rezultati? 0 në 100 kilometra në orë për vetëm 2.6 sekonda. Kaq shpejt sa navigimi ende po përpiqet të kuptojë ku ndodhesh.
Dizajni është agresiv, futuristik dhe i ndërtuar kryesisht me fibër karboni për të ulur peshën. Ka edhe një fletë që ngrihet dhe ulet automatikisht. Për mendimin tim para nuk duket bukur, kurse pas është e lezetshme.
Brenda, Audi ka zgjedhur një filozofi interesante: më pak ekrane dhe më shumë fokus te drejtimi makinës. Një ide revolucionare në një epokë ku disa makina duken si iPad gjigantë me rrota.
Sigurisht, ka një lajm të keq. Do të prodhohen vetëm 499 copë dhe çmimi pritet të kalojë 600 mijë dollarë. Pra, nëse po kontrolloni tani llogarinë bankare, ndoshta mos e lodhni veten.
Megjithatë, Nuvolari tregon diçka interesante: ndërsa shumë marka po vrapojnë drejt elektrifikimit total, Audi sapo na kujtoi se motori V8 ende nuk ka thënë fjalën e fundit.