Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
iPhone i palosshëm (Apple foldable)
Ka dy lloje njerëzish në botë: ata që e hapin telefonin vetëm për të parë mesazhet, dhe Apple, që mesa duket po përgatitet të na japë një telefon që hapet si libër.
Pas vitesh thashetheme, parashikimesh dhe “burimesh shumë të sigurta”, duket se iPhone-i i palosshëm mund të jetë më afër se kurrë. Disa persona kanë zbuluar referenca interesante brenda versionit beta të iOS 27, të cilat sygjerojnë se Apple po përgatit sistemin operativ për një pajisje që mund të hapet dhe mbyllet.
Mes kodeve të zbuluara gjenden terma që lidhen me këndin e hapjes së pajisjes, gjendjen e palosjes dhe numrin e ekraneve aktive. Me fjalë të tjera, iOS tani duket se di të kuptojë nëse telefoni është i mbyllur, gjysmë i hapur apo i hapur plotësisht.s
Ndërkohë, Samsung dhe Huawei prodhojnë telefona të palosshëm prej më shumë se pesë vitesh. Kështu që Apple po hyn në një festë që ka nisur prej kohësh. Por si gjithmonë, strategjia e Apple është të mbërrijë vonë dhe të sillet sikur festa filloi kur erdhi ajo.
Pritshmëritë janë të larta, veçanërisht për trashësinë e pajisjes. Askush nuk dëshiron një telefon që duket si një sanduiç në xhep. Këtu Apple ka një avantazh, pasi iPhone Air i vitit të kaluar ishte jashtëzakonisht i hollë dhe teknologjia e përdorur mund të ndihmojë edhe modelin e palosshëm.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, shtatori mund të na sjellë një nga produktet më të rëndësishme të Apple në vitet e fundit. Dhe për herë të parë, pyetja nuk do të jetë “çfarë iPhone ke?”, por “sa herë e palos në ditë?”