Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Anthropic Claude Fable 5
Anthropic prezantoi Claude Fable 5, versionin e parë publik të modelit të saj më të avancuar, të njohur si Mythos. Deri tani, ky model ishte i rezervuar për organizata të përzgjedhura.
Sipas Anthropic, Fable 5 shkëlqen në programim, analizë informacionesh dhe kuptim të imazheve. Por ka një kusht të madh: kur pyetjet futen në fusha të ndjeshme si siguria kibernetike, biologjia apo kimia, modeli vendos
frenat menjëherë dhe kalon tek një version më i kufizuar.
Arsyeja? Anthropic thotë se po përgatitet për një botë ku inteligjenca artificiale mund të përmirësojnë vetveten pa ndihmën e njerëzve. Po, tingëllon si fillimi i një filmi fantastiko-shkencor.
Kompania testoi modelin për më shumë se një mijë orë kundër tentativave për ta mashtruar dhe pretendojnë se nuk u gjet asnjë mënyrë universale për të thyer kufizimet e tij. Një rezultat që për botën e AI është pakashum si ti japësh biçikletës pa duar dhe të mos përfundosh në një shkurre.
Megjithatë, ka edhe një detaj që mund t’i bëjë njerëzit të mendohen dy herë: çmimi. Fable 5 kushton dy herë më shumë se versioni i mëparshëm. Me sa duket, edhe inteligjenca artificiale po ndjek inflacionin.
Një gjë është e sigurt: gara për AI më të fuqishme po hyn në një nivel krejt tjetër. Dhe ne sapo morëm një biletë për ta parë nga afër.