Health & Beauty

Studim, ndikimi i gjumit në parandalimin e demencës!

Një ulje prej vetëm 1% e sasisë së gjumit të thellë në pleqëri lidhet me një rritje prej 27% të rrezikut të zhvillimit të demencës. Një studim i ri konfirmon ekzistencën e një lidhjeje midis gjumit dhe shëndetit të trurit. Puna e publikuar në “JAMA Neurology” fokusohet në një lloj gjumi në veçanti, gjumin e thellë ose të ngadaltë, i cili fiziologjikisht zvogëlohet me moshën. Studimet shkencore kanë treguar se gjumi i thellë është thelbësor për konsolidimin e kujtimeve dhe për nxitjen e rrjedhjes së CSF (lëngu që rrethon sistemin nervor qendror) në tru.

Ky qarkullim lejon heqjen e mbetjeve, akumulimi i të cilave mund të jetë i dëmshëm për trurin, siç është proteina beta amiloid. Shkencëtarët nga Shkolla e Shkencave Psikologjike Monash dhe Instituti Turner për trurin dhe shëndetin mendor në Melburn, Australi, ndoqën 346 pjesëmarrës mbi 60 vjeç, të cilët morën pjesë në një studim të quajtur ‘Studimi i Zemrës’ në Framingham. Gjumi i tyre u monitorua në dy raste, midis viteve 1995 dhe 1998 dhe midis 2001 dhe 2003, mesatarisht 5 vjet diferencë. Pjesëmarrësit u ndoqën deri në vitin 2018. Midis monitorimit të parë dhe të dytë të gjumit, ndërsa vullnetarët plaken, niveli i përgjithshëm i gjumit të thellë u ul.

Për më tepër, 52 persona u diagnostikuan me forma të demencës. Edhe pas marrjes parasysh të faktorëve të tjerë të mundshëm të rrezikut si mosha, seksi, gjenetika, zakonet e pirjes së duhanit ose përdorimi i ilaçeve, çdo pikë përqindje më pak gjumë i thellë në vit u shoqërua me një rritje prej 27% të incidencës së demencës. Në pjesëmarrësit që kishin faktorë rreziku gjenetikë për sëmundjen e Alzheimerit, rënia e gjumit të thellë u përshpejtua.

Studimet e mëparshme kishin treguar vërtet se gjumi i shqetësuar duket të jetë një nga simptomat e hershme të sëmundjes Alzheimer, sepse proceset neurodegjenerative mund të komprometojnë rregullimin e ritmeve klasike të pushimit. Më shumë se 15 milionë njerëz të moshës mbi 60 vjeç në Kinë vuajnë nga demenca, nga të cilët afro 10 milionë kanë sëmundjen e Alzheimerit. Raporti, i cili u publikua në Pekin tregoi se Kina është bërë vendi me numrin më të madh të pacientëve me Alzheimer në botë.