Magnezi është kthyer në një nga suplementet më të përdorura në botë, duke konkurruar fort me kreatinën dhe kolagjenin. Shumë njerëz e marrin për gjumë më të mirë, më pak ankth, tretje më të lehtë apo për të ulur ngërçet muskulore. Por mjekët paralajmërojnë se efektet e tij nuk janë të menjëhershme dhe varen nga qëllimi i përdorimit.
Sipas mjekes, Uma Darji, magnezi luan rol të rëndësishëm në relaksimin e muskujve, funksionin e sistemit nervor dhe balancimin e energjisë në trup, por “rezultatet kërkojnë kohë dhe pritshmëri reale”.
Edhe mjeku Shasawat Kumar thekson se suplementet nuk janë zgjidhje të shpejta: ato mbështesin proceset natyrale të organizmit dhe veprojnë gradualisht, sidomos kur bëhet fjalë për rikthimin e niveleve të ulëta të mineraleve.
Sa shpejt fillon të veprojë magnezi?
Koha ndryshon në varësi të problemit dhe formës së suplementit:
– Për kapsllëkun:
Format si citrati ose hidroksidi i magnezit mund të veprojnë brenda 30 minutash deri në 6 orë, duke tërhequr ujë në zorrë dhe lehtësuar jashtëqitjen.
– Për ngërçet muskulore:
Përmirësimi zakonisht shihet pas disa ditësh deri në disa javë përdorimi të rregullt.
– Për gjumin dhe ankthin:
Relaksimi mund të ndihet brenda një ore, por efektet reale në cilësinë e gjumit zakonisht kërkojnë ditë ose javë.
– Për mungesën e magnezit:
Ky është procesi më i ngadaltë dhe kërkon kohë për të rikthyer rezervat në trup.
A kanë nevojë të gjithë për suplement?
Jo. Mjekët theksojnë se shumica e njerëzve marrin mjaftueshëm magnez nga ushqimi i përditshëm, si arrat, farat, bishtajoret, perimet me gjethe jeshile dhe drithërat integrale. Suplementet rekomandohen vetëm kur ka mungesë të konfirmuar ose nevojë specifike mjekësore.
Personat me probleme të veshkave duhet të tregojnë kujdes të veçantë dhe ta përdorin vetëm nën mbikëqyrje mjekësore.
Magnezi nuk është “zgjidhje e shpejtë”, por një ndihmës gradual për trupin. Siç theksojnë ekspertët, forma, doza dhe arsyeja e përdorimit janë po aq të rëndësishme sa vetë suplementi.