Aktualitet

Sulmet kibernetike, një ekip i NATO-s në Shqipëri/Aleanca: Nuk jeni vetëm!

Një ekip i NATO-s ka mbërritur në Shqipëri, për të ndihmuar qeverinë në nivel politik dhe teknik pas sulmeve kibernetike. Vizita vjen pas komunikimit të Kryeministrit Edi Rama me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg. Delegacioni i kryesuar nga zv.asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për sfidat dhe zhvillim të sigurt James Appathurai u takua fillimisht me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.

Gjatë konferencës së përbashkët, ministri Niko Peleshi sqaroi qëllimin e vizitës së ekipit të Aleancës në vendin tonë.

Ky ekip vjen në vendin tonë për të dhënë asistencë në lidhje me çështjet kibernetike, njohje me situatën aktuale si dhe nevojat dhe mundësitë për adresimin e këtyre çështjeve në vazhdim. Pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve dhe infrastrukturës së teknologjive të informacionit të shtetit shqiptar tashmë të identifikuara për nga origjina, i menjëhershëm ka qenë reagimi dhe përgjigja e strukturave të specializuara të vendit në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate. Këto sulme kishin për qëllim shkatërrimin e plotë të sistemeve dhe platformave të shërbimeve shtetërore, por nuk arritën qëllimin e fshirjes dhe shkatërrimit të të gjithë sistemeve tona të teknologjive të informacionit.

Ministri garantoi se sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes kanë qenë të paprekura nga sulmi, sepse janë të shkëputura nga rrjeti i përgjithshëm i komunikimit, por pavarësisht kësaj është rritur gatishmëria dhe niveli i vëmendjes dhe sigurisë për të gjitha këto sisteme.

Zv.asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për sfidat dhe zhvillim të sigurt James Appathurai u shpreh se në këtë rrugëtim Shqipëria nuk është e vetme, sepse NATO e mbështet.

Të gjitha vendet e NATO-s e njohin sulmin që i është bërë Shqipërisë dhe sigurisht e mbështesin atë në këtë drejtim. Unë dhe ekipi im kemi ardhur këtu për disa arsye të ndryshme, por fillimisht arsyeja kryesore është për të parë situatën dhe për të bërë një koordinim të aleatëve dhe zyrave qendrore të NATO-s në lidhje me sulmin kibernetik që ka ndodhur, për të parë nevojat afatgjata që i nevojiten Shqipërisë për të ndërtuar një rrjet mbrojtjeje ndaj këtyre sulmeve kibernetike dhe Shqipëria po bën hapa përpara në këtë fushë.

Ekipi i NATO-s do të takohet edhe me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, asaj të Brendshme, si dhe me përfaqësues të AKSHI-t.