Aktualitet

Sulmi terrorist ndaj Top Channel, autorët ende të lirë/ Policia e Tiranës ngushton pistat e hetimit!

Për sulmin terrorist me armë zjarri ndaj godinës së Top Channel në Mëzez,  ku në krye të detyrës mbeti i vrarë punonjësi i sigurisë Pal Kola, uniformat blu kanë marrë disa të dhëna nga persona të ndryshëm. Ndërkohë, kanë kaluar 24 orë nga shpërblimi prej 100 mijë eurosh, i vendosur nga Policia e Shtetit për këdo që jepte informacion të vlefshëm për gjetjen e autorëve që qëlluan me kallashnikovë, në orët e para të mëngjesit të 27 marsit.

Policia vijon të marrë dëshmi, po këqyren kamerat sigurie rreth zonës afër godinës së Top Channel, si edhe të tjera kamera në mjedise të ndryshme, por duke ruajtur sekretin hetimor. Ende nuk ka të dhëna dhe emra konkretë.

Ndërkaq, pas hetimeve tre ditore, Policia e Tiranës po bën përjashtimin e disa pistave të ngritura duke ngushtuar ato të hetimit e që tani është kanalizuar në disa drejtime më të ngushta.

Po ashtu, vijon puna për hetimin e gjurmëve të lëna pas nga autorët, si targat dhe makina Range Rover e gjetur e djegur në Kavajë, pranë Përroit të Agait. Automjeti në pronësi të një shtetasi nga Kosova ishte vjedhur në korrik të 2020-ës në Tale të Lezhë kur ai gjendej për pushime verore në vendin tonë. Tani shpresohet për identifikimin e autorëve, çka mesa duket është ende larg.

Sulmi terrorist i 27 marsit ndaj Top Channel, eksperti i sigurisë,  Fatjon Softa tha se vrasja e punonjësit ishte aksidentale, por plumbi nuk ka qenë rikoshet. I ftuar në emisionin “Wake Up” në Top Albania Radio dhe Top Channel ku me detaje përshkroi si mund të ketë ndodhur sulmi me kallashnikov drejt godinës së televizionit kombëtar, Top Channel.

Unë mendoj që është aksidentale, nuk ka qenë objektiv punonjësi i shërbimit. Unë kam qenë në vendin e ngjarjes, kam pasur mundësi ta shikoj me shumë vëmendje dhe përdorimi i armës apo qitja me kallashnikovë ka ndodhur. Ju keni një perimetër në atë strukturë, e cila ka dy porta hyrëse: porta e parë, ku ka dhe një stacion më të perqëndruar të kamerave dhe punonjësve të shërbimit që është porta kryesore dhe porta e dytë ku hyjnë mjetet.

Meqë në portën e parë keni telekamerat që gjithashtu kontrollojnë regjimin e hyrjes e të daljes, si edhe rrugën, atëherë mesa duket atentatorët nuk kanë qëlluar në këtë moment, por qëlluan pasi i kaluan kamerat. Kanë përdorur armën duke qëlluar strukturën, pra katin e dytë deri në lartësinë e katit të tretë. Arma ka krijuar një sinusoid, pra hekurat shpues dhe pjesa e strukturës sipër kanë një sinusoid e ndërprerja e qitjes vjen pikërisht në momentin që vjen afër portës fundore.

Nëse do të kishte objekt punonjësin e shërbimit, ai ishte në vendin me sheshpamjen më të pastër e më të dukshme për të qëlluar në vijë të drejtë punonjësin e shërbimit.  Por, pikërisht aty në ato moment është ndërprerë. Plumbi i parafundit ka qenë shpuzë, pra nuk ka qenë rikoshet, ka qenë shpuzë dhe ai ka vajtur drejtpërdrejt, bëri shpimin e tubit, shpoi drejtpërdrejt kabinën, jo xhamin, pjesën e poshtme dhe ka përshkuar trupin e punonjësit të shërbimit. Dëmtoi pjesën e pasme e aty ndaloi, aty ka fjetur plumbi.