Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump tha se në ditën e parë në detyrë do të vendoste tarifë 25% për të gjitha produktet nga Meksika e Kanadaja, si dhe një shtesë prej 10% për mallrat nga Kina, duke përmendur rolin e tyre në emigracionin e paligjshëm dhe tregtinë e drogave të paligjshme.
Më 20 janar, në mesin e shumë urdhrave të parë ekzekutiv, unë do të nënshkruaj të gjitha dokumentet e nevojshme për të vendosur 25% tarifë ndaj të gjitha produkteve nga Meksika dhe Kanadaja që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, thuhet në një postim të Trump-it në rrjetin “Truth Social”.
Trump deklaroi se tarifat do të mbeten në fuqi derisa të dyja vendet të ndalin kalimin në Amerikë të drogës, veçanërisht të fentanilit dhe emigrantëve të paligjshëm. Po ashtu, ai akuzoi Kinën se siç tha “nuk ka ndërmarrë veprime mjaft të forta për të ndalur rrjedhën e drogave të paligjshme që mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara përmes kufirit meksikan”.
Ne do të vendosim një tarifë prej 10% ndaj të gjitha produkteve të Kinës që vijnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo tarifë nuk do të hiqet derisa ata të ndalin rrjedhën e drogës.
Presidenti i zgjedhur është zotuar edhe më parë që t’i japë fund statusit tregtar të vendit më të favorizuar që gëzon Kina e të vendosë mbi 60% tarifa ndaj importeve kineze, shumë më të larta se ato të vëna gjatë mandatit të tij të parë. Ekonomia kineze është në një pozitë shumë më të vështirë, duke patur parasysh rënien e tregut të shtëpive dhe pasurive të patundshme, rreziqet nga borxhi publik e dobësimi i kërkesave të konsumit të brendshëm.
Dollari u rrit me më shumë se 2% kundrejt pesos meksikane, pas publikimit të komenteve të Trump-it në platformën e tij të mediave sociale.