Tesla ka njoftuar së fundmi se do të tërheqë mbi dy milionë makina nga tregu amerikan të cilat janë të pajisura me sistemin e avancuar ndihmës-shofer, apo autopilot, pasi një rregullator i sigurisë ngriti shqetësime për sigurinë e këtij sistemi. Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut (AKST) tha se ka dy vjet që është duke e hetuar kompaninë për prodhimin e makinave për të parë nëse makinat Tesla garantojnë se shoferët janë të vëmendshëm kur e përdorin autopilotin.
Tesla tha se kontrollet softuerike të sistemit autopilot mund të mos mjaftojnë për t’i parandaluar shoferët nga keqpërdorimi i autopilotit dhe mund ta rrisë rrezikun për përplasje. Ann Carlson nga AKST tha për Reuters në gusht se është shumë e rëndësishme që sistemet për vëzhgimin e shoferëve ta kenë parasysh se njerëzit i besojnë teknologjisë më shumë seç duhet.
Autopiloti i Tesla-s ka për qëllim t’u mundësojë makinave drejtimin e timonit, gazin dhe frenimin në mënyrë automatike vetëm brenda korsisë së tyre, ndërsa autopiloti i avancuar mund të ndihmojë edhe në ndërrimin e korsisë në autostrada, por nuk i bën makinat plotësisht të pavarura në drejtim. Tesla nuk ka treguar nëse do t’i tërheqë makinat edhe nga shtetet e tjera, përveç SHBA-së.
Ndërkaq, shefi i Tesla-s, Elon Musk gjatë një interviste me Sandy Munro deklaroi se kompania po punon në një automjet elektrik me kosto të ulët. Kjo mund të përkojë me raportimet e mëhershme për nxjerrjen e një makine nga Tesla me çmim 25 mijë dollarësh. “Ne jemi duke punuar për një automjet elektrik me kosto të ulët që do të prodhohet në vëllim vërtet të lartë. Kemi avancuar shumë në atë drejtim. Unë rishikoj çdo javë planet e linjës së prodhimit për këtë projekt. Unë mendoj se revolucioni në prodhim që do të përfaqësohet nga ajo makinë do t’i befasojë të gjithë”,-deklaroi Musk.