Aktualitet Sociale

“Tetori Rozë”/Zonja e Parë e Shqipërisë: Moment për reflektim!

Tetori është caktuar si Muaji i Ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen e mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje.

Zonja e Parë e Shqipërisë, Armanda Begaj, i bashkohet  “Tetorit Rozë”, në ndihmë të grave dhe vajzave që vuajnë nga kanceri i gjirit si pjesë e përpjekjes mbarëbotërore të sensibilizimit për kujdesin shëndetësor. Në një mesazh të posaçëm, këtë muaj e vlerëson si moment për reflektim, ndërgjegjësim e solidaritet.

Gjatë 31 ditëve të tetorit, secili nga ne, të ketë një moment reflektimi për çfarë do të thotë të jetosh normalisht në çdonjërën nga 365 ditët e vitit pas diagnostikimit me kancerin e gjirit.

Zonja e Parë e Shqipërisë inkurajon gjithkënd të ndajë informacionet, eksperiencat dhe përjetimet në përballimin e  sfidës së vështirë.

Eksperiencat janë unike për këdo, por të gjithë besojmë se për të përqafuar plotësisht jetën duhet gjetur dëshira për t’u informuar, kuraja për t’u diagnostikuar, forca për ta pranuar vetë e ndarë me të tjerë, optimizmi për ta kuruar kancerin e gjirit, por mbi të gjitha energjia për t’u përfshirë në aktivitete dhe marrëdhënie që sjellin gëzim e kënaqësi, që rrisin cilësinë e jetës.

Gjithashtu, Zonja e Parë nxit shoqërinë të angazhohet për të ndihmuar në lehtësimin e vuajtjes dhe kapërcimin e kësaj sprove.

Me gjithë vështirësitë për të kuptuar sfidat specifike me të cilat duhet të përballen, nënat, bashkëshortet, motrat, bijat e miket, të gjithë ne, familja e miqtë, të jemi mbështetësit më të mirë që ato të sfidojnë frikën, ankthin dhe madje edhe zemërimin pas diagnostikimit me kancerin e gjirit apo të çdo lloji tjetër dhe të nisin një jetë normale të re.

Përgjatë “Tetorit Rozë”, Zonja e Parë e Shqipërisë do të angazhohet në disa nisma ndërgjegjësimi për gratë dhe vajzat.  Për të dytin vit është pjesë e fushatës së sensibilizimit, për kontrollin mjekësor të gjirit.