Botë e Çuditshme Health & Beauty

Rrezatimi për pacientet me kancer të gjirit të hershëm, çfarë duhet të dini!

Një studim i ri, i publikuar në revistën The New England Journal of Medicine, ka treguar se pas dhjetë viteve ndjekje, rrezatimi i murit të kraharorit nuk ka sjellë asnjë ndryshim në mbijetesën e grave me kancer të gjirit në fazë të hershme, të trajtuara me mastektomi dhe me terapi moderne të synuara. “Studimi ynë ka treguar se me trajtimet bashkëkohore, rreziku i rikthimit të sëmundjes është mjaft i ulët, saqë për shumicën e pacienteve radioterapia mund të shmanget,” thekson dr. Ian Kunkler. Në këtë studim u përfshinë 1.600 gra me kancer të gjirit në fazë të hershme; gjysma prej tyre mori radioterapi, ndërsa gjysma tjetër jo.

Shkalla e mbijetesës ishte pothuajse identike midis dy grupeve: 81,4 për qind tek pacientet e trajtuara me rrezatim dhe 81,9 për qind tek ato që nuk u rrezatuan. Rrezatimi nuk ndikoi as në kohëzgjatjen e mbijetesës pa rikthim të sëmundjes, as në përhapjen e kancerit në organe të tjera të trupit. Megjithatë, pacientet që morën radioterapi patën një rrezik më të ulët të rikthimit lokal në murin e kraharorit, edhe pse numri i rasteve të rikthimit ishte shumë i vogël.

“Për kancerin e gjirit me rrezik të ulët dihet tashmë se rrezatimi pas mastektomisë nuk është i nevojshëm, ndërsa për pacientet me rrezik të lartë radioterapia mbetet e rëndësishme. Pyetja ka qenë gjithmonë si të veprohet me grupin e pacientëve me rrezik të mesëm – dhe rezultatet e këtij studimi tregojnë se as këtyre pacienteve nuk u duhet domosdoshmërisht rrezatim”, thotë onkologu dr. Harold Burstein nga Dana-Farber Cancer Institute dhe profesor në Harvard University.

Radioterapia mund të shkaktojë efekte anësore, nga të cilat disa mund të shfaqen vite pas trajtimit. Në periudhë afatshkurtër, ai mund të shkaktojë djegie të lëkurës dhe ndryshime të tjera dermatologjike. Në raste të rralla, mund të çojë në inflamacion të mushkërive (pneumonitis) dhe të rrisë rrezikun e limfedemës, gjendje që shkakton ënjtje të krahut, një komplikim serioz sidomos pas heqjes së nyjeve limfatike.

Rrezatimi mund të vështirësojë gjithashtu edhe procesin e rekonstruksionit të gjirit, pasi e bën lëkurën më të fortë, më pak elastike dhe më të prirur për formim të indeve dhjamore dhe mbresore. Ekspertët theksojnë se për pacientet me rrezik më të lartë të rikthimit ose të përhapjes së kancerit, radioterapia vazhdon të jetë një pjesë thelbësore e trajtimit.