Atmosferë festive e vintage, muzikë dhe zhurma e makinave të vjetra i rikthehen Tiranës në këto ditë të fundit të prillit, ndërsa nostalgjikët kanë mbushur qendrën, pasi në sheshin “Skënderbej” po ekspozohen automjetet historike.
Nga organizatorët është menduar për një ndërthurje të gjetur mes traditës, bashkëkohores e të vjetrës. Bie në sy se nuk janë të paktë qytetarët që nuk po humbasin rast për të shkrepur foto, për të fiksuar praninë pranë mjeteve të veçanta, që vijnë nga kohë më të largëta, të jetuara nga disa.
Sheshi “Skënderbej” është shndërruar në një ekspozitë të hapur ku makinat historike të japin ndjesinë se po jeton në një tjetër periudhë kohe, duke të të shkëputur disi nga aktualiteti.
Qytetarët e mbledhur shfrytëzojnë momentin për të shprehur nostalgjinë dhe kuriozitetin e tyre për këto makina sepse nuk ka dyshime se makinat retro kanë aktivizuar kujtimet e më të moshuarve, por tanimë, shoqëruar dhe me kuriozitetin e më të rinjve.
Ekspozimi i mjeteve retro vjen ndërsa në Tiranë po mbahet simpoziumi me temë: “Bashkëpunim dhe partneritet me Qeverinë dhe institucionet e tjera”, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) dhe RETRO Albania, në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Mjeteve Historike (FIVA).
Përzgjedhja e Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë si vendi mikpritës në organizimin e këtij simpoziumi, vjen pak muaj pas anëtarësimit të shumëpritur të RETRO Albania në FIVA, në nëntor të vitit të kaluar.