Aktualitet

Tiranë, tentoi t’i ikte patrullës, humb jetën pas shoqërimit në Komisariatin nr.3!

Një 32-vjeçar ndërroi jetë në spital pasi më parë ishte shoqëruar në mjediset e Komisariatit nr.3 në Tiranë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton se pas orës 23:00, në rrugën “Riza Cuka” atij iu bë thirrje nga blutë të ndalonte për t’i kontrolluar dokumentet e identifikimit, por u largua me vrap.

Policia u vu në ndjekje e arriti ta ndalojë në rrugën “Don Bosco”, por me mbërritjen në komisariat shfaqi probleme shëndetësore dhe u kërkua ndihma e shërbimit të Urgjencës. Për shkak të rëndimit të gjendjes, me mjetet e Policisë, 32-vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës, ku ndërroi jetë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton se nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes në të cilën gjeti vdekjen 32-vjeçari i shoqëruar në Komisariatin nr.3 në Tiranë. Gjithashtu, po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Dyshohet se Laer Kurti gjeti vdekjen nga një atak kardiak.

NJOFTIMI

Informacion paraprak i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP)

Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.

Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L.K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu, aktualisht po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes dhe në përfundim AMP do të dalë me një njoftim përfundimtar për shtyp.