Bota Fashion

U akuzua nga gruaja e presidentit të Meksikës për plagjiaturë të dizajneve indigjene, Ralph Lauren kërkon falje!

Marka luksoze e modës Ralph Lauren ka kërkuar falje pasi u akuzua nga Beatriz Gutierrez, gruaja e presidentit të Meksikës, për plagjiaturë të dizajneve indigjene. Gutierrez postoi një foto në Instagram të një xhakete Ralph Lauren, për të cilën tha se përvetësonte modelet e popujve Contla dhe Saltillo nga Meksika. Në kohën e postimit, palltoja shitej me pakicë në disa dyqane për 368 euro.

Hej Ralph, tashmë e kuptuam se ju pëlqejnë shumë dizajnet meksikane. Megjithatë, duke kopjuar këto dizajne ju jeni duke kryer plagjiaturë dhe siç e dini, plagjiatura është e paligjshme dhe imorale. Të paktën pranoje dhe shpresojmë se do t’i kompensoni komunitetet origjinale që e bëjnë këtë punë me dashuri dhe jo për përfitime miliona dollarëshe.

Gutierrez e cila refuzon titullin e Zonjës së Parë është kreu i nderit i Këshillit Koordinues të Kujtesës Historike dhe Kulturore të Meksikës. Ajo ka një përvojë në art, shkrim kulturor dhe mësimdhënie. Disa orë pas postimit, Ralph Lauren kërkoi falje dhe tha se ishte i habitur që produkti ishte ende në shitje pasi kishte lëshuar një direktivë për ta hequr atë nga dyqanet disa muaj më parë. Kompania e modës tha:

Na vjen shumë keq që ndodhi dhe si gjithmonë, jemi të hapur për dialog se si mund të bëjmë më mirë.

Ralph Lauren është zotuar se të gjitha produktet e reja që përdorin dizajne indigjene, pas koleksionit të verës 2023, do të krijohen nën një model “kredite dhe bashkëpunim”. Meksika ka paraqitur më parë ankesa kundër markave të mëdha të modës së shpejtë si Zara, Shein, Mango etj.