Sport

US Open/ Nadal dhe Swiatek të pandalshëm!

Rafael Nadal vijon rrugëtimin e tij në turneun e US Open. Tenisti spanjoll kaloi në 1/8 e finaleve të eventit njujorkez pasi eliminoi francezin Richard Gasquet duke e mundur me rezultatin 3-0.

Nadal e dominoi ndeshjen sidomos në dy setet e para të cilat i fitoi me rezultatin 6-0 dhe 6-1. në setin final Gasquet bëri një rezistencë më të madhe, por ishte 36 vjecari nga Mallorca ai që e fitoi edhe këtë fraksion me rezultatin 7-5.

U kualifikua për në raundin tjetër edhe Andrey Rublev që fitoi një betejë të vërtetë ndaj Shapovalov duke e mbyllur sfidën me kanadezin me rezultatin 3-2 pas 4 orë e 8 minutash lojë. Rublev fitoi setin e parë 6-2, por Shapovalov përmbysi rezultatin duke fituar dy setet e tjerë 6-2;7-6. rublev reagoi dhe fitoi setin e katërt 6-4 duke e cuar ndeshjen në set final. Ky fraksion ishte shumë emocionues dhe i rivalizuar, por në fund ishte Rublev ai që e fitoi atë pas supertiebreakut, 7-6.

Në kampin e femrava, numri 1 i botës Iga Swiatek nuk ndalet. Tenistja polake u kualifikua për në 1/8 e finaleve pasi mundi amerikanen Davis me rezultatin 2-0. Swiatek ishte superiore ndaj kundërshtares së saj duke i fituar setet me rezultatin 6-3 dhe 6-4 dhe në raundin e katërt do të ketë përballe tenisten gjermane Niemeier.

Shkroi emrin mes 16 më të mirave të turneut edhe Petra Kvitova që eliminoi Garbine Muguruza pas një ndeshje maratonë që zgjati 2 orë e 38 minuta.

Ishte Spanjollja ajo që e nisi mirë ndeshjen teksa fitoi setin e parë 7-5, por Kvitova diti të kthejë situatën në favor duke fituar dy setet e tjerë 6-3 dhe 7-6 për të fituar këtë sfidë 2-1 që i jep mundësinë të kalojë në 1/8 e finaleve të US Open