Sport

Ankohen big-ët e tenisit botëror: Shpërblime shumë të ulëta!

Të mëdhenjtë e tenisit nuk dorëzohen dhe kthehen të bashkuar, duke “sulmuar” organizatorët e turneve Grande Slam. Çështje parash dhe jo vetëm. Janë rreth 20 tenistë, sipas “The Guardian”, mes të cilëve Jannik Sinner, Novak Djokovic, Carlos Alcaraz, Aryna Sabalenka dhe Coco Gauff, që kanë dhënë një deklaratë, ku kundërshtojnë shpërblimet e ofruara nga Roland Garros. Sipas tyre, këto shpërblime janë shumë të ulëta, edhe pse të ardhurat rriten.

Me të ardhura që shkojnë mbi 400 milion euro, ka mundësi që shpërblimet në përqindje ndaj të ardhurave të mbeten 15%, shumë poshtë 22%-shit të kërkuar nga lojtarët për turnetë Grande Slam Atp dhe Wta, shkruhet në deklaratën e shpërndarë nga big-ët e tenisit. Edhe më e rëndë është që nuk u zgjidhën problemet strukturore gjatë vitit të fundit.

Turnetë Slam vazhdojnë të rezistojnë ndaj ndryshimit. Mungesa e konsultimit me lojtarët dhe mungesa e investimeve për mirëqenien e tyre reflektojnë një sistem që nuk përfaqëson si duhet interesat e atyre që janë thelbësorë për suksesin e këtij sporti, – vazhdon deklarata drejtuar organizatorëve të Roland Garros.

Turneu francez ka bërë me dije për një shtim 9.5% të shëprblimeve, duke shkuar kështu në 61.7 milion euro. Fituesit e turneut për femra dhe meshkuj do të përfitojnë 2.8 milion euro.

Federata franceze ka bërë të ditur se Roland Garros administrohet nga një shoqatë fitimprurëse, ku të ardhurat riinvestohen gjithmonë te ky turne.