Tech

Vendi me internetin më të shpejtë në Ballkan!

A e keni menduar ndonjëherë se cili vend ka internetin më të shpejtë në rajonin tonë dhe cili në Evropë? Kërkimet e kryera nga faqja britanike Cable janë publikuar nga portali “Landgeist”. Kur bëhet fjalë për vendet e Gadishullit Ballkanik, me shpejtësi lidhjeje interneti prej 97.9 Mbps, Maqedonia e Veriut është në vendin e parë.

Është përpara Sllovenisë (97 Mbps), Serbisë (60.5 Mbps), Kosovës (57.3 Mbps), Greqisë (53.9 Mbps), Malit të Zi (49.5 Mbps), Bosnje dhe Hercegovinës (44 Mbps) dhe Bullgarisë (40 Mbps). Interneti më i shpejtë në Evropë është në ishullin Jersey (264 Mbps), i cili ndodhet midis Britanisë së Madhe dhe Francës, në Lihtenshtajn (246.8 Mbps) dhe në Islandë (229.4 Mbps).

Shpejtësia e internetit prej 152.5 Mbps gjendet në Francë gjersa në Holandë 142.5 Mbps, në Spanjë 133.3 Mbps dhe në Gjermani 81.7 Mbps. Interneti më i ngadalshëm në Evropë është në Kroaci 25.7 Mbps, Shqipëria 25.4 Mbps dhe Turqia 24.8 Mbps. Të dhënat bazohen në analizën e më shumë se 1.5 miliard testeve të shpejtësisë së qasjes me brez të gjerë në 229 vende gjatë 12 muajve që përfundojnë më 30 qershor të këtij viti.

Një vloger i njohur në platformën e YouTube si Ryan’s Model Y ka futur në test shpejtësinë e rrjetit 5G si dhe atë rrjetit Starlink. Starlink është shërbim interneti satelitor në kuadër të kompanisë me mision hapësinor SpaceX në pronësi të miliarderit dhe sipërmarrësit Elon Musk. Në këtë rast, Youtuberi mati shpejtësinë e internetit 5G dhe rrjetit satelitor të Starlinkut, nëpërmjet një video të cilën e publikoi në platformë. Sipas tij, rrjeti 5G fitoi dukshëm këtë test duke e arritur shpejtësinë maksimale të internetit me 739.44 megabit për sekondë.

Por, nuk ishte keq edhe interneti i shërbimit satelitor Starlink i cili arriti këtë shpejtësi në 143 megabit për sekondë në transferimin e të dhënave në telefon. Vlen të theksohet se shpejtësia e internetit mund të varet ndonjëherë edhe nga ambientet e caktuara. Starlink, ka për mision që në të ardhmen të shtrijë internetin satelitor në të gjithë globin, e sidomos në zonat më të largëta ku qasja në internet është e pamundur. Për momentin, kompania është duke lëshuar satelitët e tij në orbitën e ulët të Tokës, për ta bërë të mundur këtë; mijëra satelitë të Starlinkut gjenden për momentin në hapësirë.