Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, raportoi se për arsye të ndryshme, 9% e 2 mijë e 589 vendvotimeve u hapën me vonesë në Kosovë. Ismet Kryeziu nga DnV, u shpreh:
U raportua se shkak i vonesave për hapjen e vendvotimeve me kohë, ka qenë mungesa e komisionarëve, në 6% të vendvotimeve.
DnV-ja po monitoron zgjedhjet parlamentare me 500 vëzhgues të vendosur në 500 vendvotime.
Nga të dhënat në terren, në 5% të qendrave të votimit, munguan posterat informues lidhur me procesin zgjedhor. Por, vuri në dukje se nuk raportohet shkelje e rregullave sa i përket vendosjes së kutive të votimit apo edhe të kamerave, duke u shprehur se “janë vënë në pjesë, që nuk cënojnë fshehtësinë e votës”.
Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Europian, (EOM), Nathalie Loiseau, deklaroi sot se 104 vëzhgues janë në terren, në kuadër të misionit, duke mbikëqyrur procesin zgjedhor në Kosovë.
Duam të sigurohemi që të gjithë votuesit të mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre. Eshtë shumë herët të thuhet diçka për procesin.
Loiseau paralajmëroi konferencë për të martën e datës 11 shkurt, për të përmbledhur ecurinë e këtij procesi. Ndërkaq, kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, votoi në Mitrovicë dhe iu drejtua zgjedhësve me lutjen për të votuar.
Në fund, sovrani vendos, qytetarët votojnë. Për mua çdo rezultat që votojnë qytetarët e Kosovës është i pranueshëm, jam optimist. Ka qenë një fushatë e gjatë, por jam i lumtur që gjatë gjithë kohës e kemi ruajtur pozitivitetin.
Thirrje për të dalë në votime bënë edhe të tjerë kandidatë për kryeministër. Përveç Hamzës, në garë për shefin e qeverisë së Kosovës janë edhe Albin Kurti, kryeministri aktual, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës e Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Komisariati i Republikës së Serbisë për Refugjatët u angazhua në “mobilizimin” e të zhvendosurve, për të votuar në zgjedhjet parlamentare të Kosovës. Më 17 janar, iu bëri thirrje të votojnë, duke njoftuar se deri në vendvotime, transporti është i organizuar për të gjithë të interesuarit.
Radio Evropa e Lirë takoi disa prej votuesve në Graçanicë, si Zhivorad Petkoviç nga Vrnjaçka Banja. Ai tha se në Kosovë shkoi pa probleme, me furgon e ndërsa shumica voton në Mitrovicë, vendosi të votonte në Graçanicë.