Botë e Çuditshme

Zbulohet kandili më i madh në botë në Oqeanin Paqësor!

Pamje spektakolare nga thellësitë e oqeanit kanë dalë në dritë me një kandil deti të rrallë “fantazmë” 10 metra të gjatë që është kapur nga lentet e studiuesve në ujërat e Gjirit Monterey, Kaliforni, në Oqeanin Paqësor. Tentakulat e gjata të kandilit të detit gjigant, të quajtur zakonisht Stygiomedusa, u panë nga studiuesit detarë në Institutin Kërkimor Monterey në një thellësi prej 975 metra.

Stygiomedusa është kandili më i madh i gjetur ndonjëherë në planet dhe “noton” në pjesët më të thella të të gjithë oqeaneve të botës jashtë Arktikut. Kjo është një nga rastet e rralla, gjithsej 9 që shkencëtarët në fjalë e kanë parë këtë krijesë të çuditshme deti.

Kjo gjallesë detare konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e këtij lloji. Tentakulat e saj janë gati 10 metra të gjata, kështu që mund të “rrëmbejë” pa problem prenë e tij. Jeton në një thellësi prej më shumë se 1000 metrash, larg njerëzve dhe pak kush ka pasur mundësinë ta hasë ndonjëherë.

Ndërkaq, në verë gjatë pushimeve nuk ka asgjë më të mirë se një notim i këndshëm në det, por gjatë argëtimit në ujë mund të ndodhë që të pickoheni nga një kandil deti. Nëse kjo ndodh, para së gjithash është thelbësore të qëndroni të qetë dhe të drejtoheni pa nxitim drejt bregut, më pas lani pjesën e prekur me ujë të detit dhe hiqni menjëherë çdo fije të mbetur.

Në shumicën e rasteve, këto dhe disa masa të tjera paraprake janë të mjaftueshme për të zgjidhur problemin dhe për të shmangur komplikimet e çdo lloji. Megjithatë, në raste të tjera, situata mund të jetë pak më serioze, me simptoma më të bezdisshme dhe nevojën për të kontaktuar një mjek ose urgjencën më të afërt.