Edhe pse kandilat e detit vjollcë janë të bukur për t’u parë dhe shpesh mahnitin pushuesit me ngjyrat e tyre, kontakti me ta mund të shkaktojë pasoja të dhimbshme dhe potencialisht të rrezikshme për shëndetin.
Lëkura e tyre përmban qeliza helmuese që, në rast pickimi, mund të shkaktojnë skuqje të menjëhershme, ndjesi djegieje, kruajtje të fortë, dhe në raste më serioze, marrje mendsh, vështirësi në frymëmarrje apo reaksione alergjike.
Mjekët këshillojnë që nëse pickoheni nga një kandil deti vjollcë, duhet të veproni menjëherë:
-Dilni menjëherë nga uji, për të shmangur kontaktin e mëtejshëm.
–Mos fërkoni lëkurën, pasi kjo mund të përhapë më tej toksinat.
-Shpëlani zonën e prekur me uthull, e cila ndihmon në neutralizimin e helmit të disa llojeve të kandilave.
-Përdorni një pinzetë ose doreza për të hequr çdo pjesë të mbetur të tentakulave – kurrë mos përdorni dorën e zhveshur.
-Zhytni zonën në ujë të ngrohtë (jo të nxehtë) për 20-45 minuta për të lehtësuar dhimbjen.
-Nëse ndieni vështirësi në frymëmarrje, dhimbje të forta apo simptoma të tjera sistemike, kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e informimit dhe kujdesit të shtuar, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur kandilat janë më të shpeshtë në ujërat bregdetare.