Shkencëtarët kanë zbuluar një specie të re kandili deti tepër helmues në ujërat e Singaporit, duke ngritur shqetësime për praninë e krijesave të rrezikshme detare në rajon. Sipas një studimi të publikuar në Raffles Bulletin of Zoology dhe të raportuar nga Live Science, studiuesit analizuan morfologjinë dhe ADN-në e disa kandilëve të llojit “box jellyfish”, të njohur si ndër krijesat më helmues në planet.
Rezultatet konfirmuan ekzistencën e një specieje të re, ndërsa njëkohësisht u dokumentua edhe zgjerimi i papritur i habitatit të kandilit helmues të njohur si “Thai sea wasp”. Kandilët “box jellyfish” njihen për helmin e tyre jashtëzakonisht të fuqishëm, i cili mund të shkaktojë dhimbje të forta, paralizë, probleme me zemrën dhe në raste të caktuara edhe vdekje.
Studiuesit theksojnë se zbulimi ndihmon në kuptimin më të mirë të biodiversitetit detar në Azinë Juglindore, por njëkohësisht shërben edhe si paralajmërim për rreziqet që mund të paraqesin këto specie për njerëzit dhe ekosistemin detar. Ekspertët po vijojnë kërkimet për të kuptuar më mirë shpërndarjen, sjelljen dhe nivelin e rrezikshmërisë së kësaj specieje të re.
Në vitet 1990, NASA dërgoi rreth 2,000 kandilë deti në hapësirë për të studiuar zhvillimin biologjik në kushte mikrograviteti. Gjatë misionit, numri i tyre u rrit ndjeshëm, duke arritur në rreth 60,000. Edhe pse në hapësirë u zhvilluan me struktura fizike të dukshme normale, kthimi në Tokë zbuloi një problem serioz: këto krijesa shfaqën çrregullime të rënda në lëvizje, duke mos qenë në gjendje të notonin apo të orientoheshin si duhet nën ndikimin e gravitetit.
Shkaku lidhet me formimin e dëmtuar të statoliteve, kristale me bazë kalciumi që funksionojnë si sistemi i ekuilibrit. Pa ndikimin e gravitetit gjatë zhvillimit, ky sistem nuk u “kalibrua” siç duhet, duke i bërë kandilët deti të paaftë për të funksionuar normalisht në Tokë. Ky eksperiment nxjerr në pah një sfidë të madhe për kolonizimin afatgjatë të hapësirës; organizmat që zhvillohen në mikrogravitet mund të mos jenë në gjendje të përshtaten me jetën në një planet me gravitet.