Bota

Zelensky ngre alarmin, thirrje për sulm bërthamor ‘parandalues’ kundër Rusisë!

Deklaratat e presidentit ukrainas se “Perëndimi nuk duhet të presë për sulmin bërthamor të Rusisë për të reaguar”, kanë ngjallur një sërë reagimesh të furishme nga Moska dhe jo vetëm.

Ditën e djeshme, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë “veprim parandalues” për të penguar përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore nga Rusia në Ukrainë.

Në një fjalim drejtuar Institutit Lowy në Australi, Zelensky nënvizoi rëndësinë e “sulmeve parandaluese, veprimeve parandaluese” në mënyrë që Rusisë t’i bëhet e qartë se me çfarë pasojash do të përballej nëse përdor armë bërthamore.

Hapat parandaluese ​​janë thelbësore, tha Zelensky duke shtuar se nuk duhet “të presim për sulmin bërthamor të Rusisë për të vepruar”.

Zelensky i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “bëjë sulme parandaluese” në vend që “të presin për sulme bërthamore ruse”, kur u pyet për rolin e NATO-s në konflikt në fjalimin e tij para institutit australian.

Duke mos e ndihmuar aspak situatën, Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha gjithashtu të enjten se bota është në prag të Armagedonit bërthamor për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i quajti komentet e Zelensky-t “asgjë më shumë dhe më pak se sa një thirrje për të filluar një luftë botërore”.

Ndërsa, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova e quajti Zelensky-n një “përbindësh” në përgjigje të komenteve.

“Të gjithë në planet duhet të kuptojnë se Zelensky, është një kukull e mbushur me armë, ai është shndërruar në një përbindësh duart e të cilit mund të shkatërrojnë të gjithë planetin,” tha ajo në një postim në Telegram.

Në të njëjtën kohë, të dy zyrtarët i kërkuan komunitetit ndërkombëtar që të dënojë fjalët e presidentit ukrainas.

Menjëherë pas këtyre deklaratave, zëdhënësi i Zelensky-t, Sergii Nykyforov, doli në një deklaratë publike për të sqaruar komentet e presidentit ukrainas pasi sipas tij, shumë media e kishin interpretuar sugjerimin sikur ai të përfshinte sulme bërthamore parandaluese, në vend të hapave jo-bërthamorë si sanksionet.

Zëdhënësi i Zelenskyt, sqaroi se “sulmet parandaluese” që përmendi presidenti ukrainas kishin të bënin me sanksione ekonomike në vend të sulmeve bërthamore.

Këto deklarata kanë ngjallur një sërë reagimesh të njëpasnjëshme nga Moska dhe në mbarë botën, të njerëzve të shqetësuar për retorikën e përdorur nga presidenti ukrainas.

Zelensky i ka kërkuar prej kohësh komunitetit ndërkombëtar të marrë masa parandaluese për të penguar Rusinë nga përshkallëzimi i konfliktit, i cili ka vazhduar për më shumë se 7 muaj.

Komentet e tij për Institutin Lowy vijnë pasi Moska u zhvendos për të aneksuar pjesë të Ukrainës së pushtuar duke mbajtur referendume të konsideruara të paligjshme nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Presidenti rus Vladimir Putin gjithashtu kërcënoi së fundmi se Rusia nuk do të hezitonte të përdorte armë bërthamore kundër asaj që e perceptonte si një kërcënim të rëndë, duke shqetësuar më tej komunitetin global për rrezikun e luftës në vazhdim.

Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, thuhet se po përgatitet për një sulm të mundshëm bërthamor në qytet, duke mbushur qendrat e evakuimit me pilula me jod kaliumi, të cilat mund të ndihmojnë kundër përthithjes së rrezatimit radioaktiv nga gjëndrat e tiroideve.

Ndërkohë, në fjalimin e ditës së enjte, Zelensky përsëriti shqetësimet e tij për praninë ushtarake ruse në termocentralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhzhia, më i madhi i llojit të tij në Europë.