Aktualitet

Zjarret në vend/ Nis ndërhyrja nga ajri në Orosh, vatra të reja në Berat dhe Elbasan!

Ka nisur ndërhyrja me helikopter nga ajri për shuarjen e flakëve në fshatin Ndërshen të Njësisë Administrative të Oroshit në Mirditë. Zjarri në masivin pyjor është aktiv që prej orës 12:00 dhe flakët u përhapën me shpejtësi në disa drejtime.

Po ashtu në operacion vijojnë të jenë dhe zjarrfikësit e strukturat e tjera vendore, nën drejtimin e pefektit të qarkut Lezhë Gjergj Prendi.

Një zjarr me përmasa të mëdha është shfaqur në orët e mesditës në Zonën e Shpiragut në Berat, ku ka shkrumbuar sipërfaqe pylli të konsiderueshëm. Zjarri ka filluar me shkurret dhe ka vijuar pyllin me marre në fshatin Velçan njësia administrative Sinjë.

Forcat zjarrfikëse janë nisur me shpejtësi drejt zonës por pylli është disa km larg Beratit ndërsa  mjetet nuk arrijnë dot deri në vatrën aktive pasi terreni është i thyer. Ndërkohë zjarrfikësit po luftojnë me flakët me pompat e shpinës dhe mjetet e dorës.

Burime pranë MZSH bëjnë me dije se zjarret janë të qëllimshme sapo kufizohen në zonën e Tomorit vijojnë në Zonën Shpiragut në perëndim të qarkut Berat.

Një tjetër zjarr i përmasave të mëdha është regjistruar në fshatin Shkëndij të bashkisë Belsh në Elbasan. Mësohet se janë djegur pemë dhe shkurre ndërsa zjarrfikësit ndodhen në vendin e ngjarjes por për shkak të terrenit malor dhe të erës, po bëhet më i vështirë izolimi i flakëve.