Bota Tech

Zyrtare/Jeff Bezos jo më CEO i “Amazon”!

Themeluesi i “Amazon”, Jeff Bezos do të largohet nga roli i shefit ekzekutiv të gjigantit të tregtisë elektronike. Ai ka lajmëruar se do të bëhet kryetari ekzekutiv, pasi në këtë rol ka mundësi që të angazhohet dhe me sipërmarrjet e tij të tjera. Bezos, që njihet si personi më i pasur i botës do të zëvendësohet nga Andy Jassy, i cili aktualisht është drejtor informatik në Amazon. Ky ndryshim do të ndodhë në gjysmën e dytë të vitit 2021, ka njoftuar kompania e njohur.

Në një letër drejtuar stafit të Amazon, Bezos ka shkruar se:

Të jesh CEO i “Amazon” është një përgjithësi shumë e madhe dhe sfilitëse në të njëjtën kohë. Kur ke një përgjegjësi të tillë, është e vështirë të zhvendosësh vëmendjen tek sipërmarrjet e tjera. Si kryetari i ekzekutivit unë do të qëndroj i angazhuar në iniciativa të rëndësishme të “Amazon”, por gjithashtu do të kem kohën dhe energjitë e nevojshme për t’u përqendruar në Fondin Dita 1, Fondin e Tokës Bezos, Blue Origin, Washington Post dhe pasionet e mia të tjera.

57-vjeçari ka themeluar e udhëhequr “Amazon” që nga viti 1994. Aktualisht kjo kompani punëson 1.3 milionë njerëz në të gjithë botën dhe është shtrirë në shumë sektorë. Bezos ka grumbulluar një pasuri prej 196.2 miliardë dollarësh, sipas listës së miliarderëve të revistës “Forbes”. Të ardhurat e kësaj kompanie u rritën ndjeshëm nga pandemia e koronavirusit, pasi njerëzit u dyndën masivisht në blerjet online. Kompania raportoi 386 miliardë dollarë fitime në vitin 2020, një rritje me 38% krahasuar me 2019-ën.