Celebrities Gossip Showbiz

Shumë luksoz, por i papërshtatshëm? Jeff Bezos mendon të shesë superjahtin me vlerë…

Jeff Bezos thuhet se po mendon të nxjerrë në shitje superjahtin e tij gjigant “Koru”, i vlerësuar rreth 460 milionë euro, dhe arsyeja nuk lidhet me financat, por me madhësinë.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, jahti luksoz është bërë shumë i vështirë për t’u menaxhuar për shkak të përmasave të tij gjigante dhe sfidave logjistike që sjell në lëvizje dhe ankorim.

“Koru” shoqërohet nga një jaht ndihmës, “Abeona”, që vlerësohet rreth 69 milionë euro, ndërsa mirëmbajtja e të dyjave së bashku kap shifrën marramendëse prej rreth 27.6 milionë euro në vit.

Një nga detajet më të komentuara të jahtit është figura prej druri në pjesën e përparme, që sipas raportimeve paraqet partneren e tij, Lauren Sanchez, në formë sirene, një element që e ka bërë edhe më të dallueshëm.

Dizajni i “Koru” është frymëzuar nga jahti “Eos”, në pronësi të miliarderit Barry Diller, por në një shkallë shumë më të madhe, çka ka krijuar probleme praktike. Në disa raste, jahti ka pasur vështirësi për t’u ankoruar në porte, duke u detyruar të qëndrojë pranë anijeve industriale.

Pavarësisht kësaj, luksi që ofron mbetet ekstrem: pishinë me fund xhami, tre xhakuzi, helipad, ekuipazh prej 36 personash dhe hapësirë për 18 të ftuar.

Në bordin e tij kanë qenë edhe disa nga emrat më të njohur të botës së showbiz-it, përfshirë Oprah Winfrey, Kim Kardashian, Leonardo DiCaprio, Katy Perry dhe Usher.

Edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar për shitjen, gjithçka tregon se edhe për miliarderët, ndonjëherë “më e madhja” nuk është gjithmonë zgjedhja më praktike.