E ftuar në “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin këtë javë ka qenë Lindita Vata, pedagoge e cila prej më shumë se 20 vitesh kontribuon në fushën e fizioterapisë pediatrike dhe me një eksperiencë shumë të gjatë në trajtimin e fëmijëve me paraliza apo probleme të tjera neuromuskulare.
Sa e vështirë është të punosh dhe të trajtosh një fëmijë të sëmurë?
Aq sa e vështirë është edhe e bukur si punë. Me thënë të drejtën është e vështirë, ka vështirësitë e saj si çdo punë aq më tepër kur kemi të bëjmë me fëmijë mirëpo ne kemi gjetur rrugën, mënyrën, teknikat që t’ia dalim. Fizioterapia pediatrike tashmë është formuar ndryshe si një trajtim që trajton shumë patologji tek fëmijët duke filluar që nga bebat e porsalindura dhe deri në një moshë të caktuar. Ka treguar që shumë patologji jo vetëm që i trajton por edhe i shëron. Kam qenë gjithmonë në kontakt me të renë më të fundit të shkencës. Gjithmonë ia kemi dalë.
Doktoresha shtoi gjithashtu se:
Në Shqipëri ne kemi mjaft sukses në këtë fushë. Sa i përket fizioterapisë pediatrike ajo i përfshin të gjitha. 80% e punës sonë është fizioterapia neurologjike por kemi edhe pjesë të ortopedisë, të traumave, hematologiisë dhe të shumë patologjive të tjera.
Kur Ilvi e pyeti në lidhje me një statistikë dhe një numër të fëmijëve që kanë ose janë prekur nga paraliza cerebrale infantile ose siç i quajmë ne paralizat e fëmijëve Lindita u përgjigj duke thënë se:
Më vjen shumë keq ta them dhe ta theksoj që ky numër sa vjen dhe rritet. Ka çdo vit shtim të numrit të fëmijëve me problematika sidomos të atyre të sistemin nervor qëndror.
Po cilët janë disa nga shkaktarët e këtyre problematikave?
Kemi shumë lloje faktorësh që ndikojnë. Janë jeta jo e rregullt e mamit kryesisht, është edhe jeta sedentare, është edhe mënyra e jetesës duke mos i kushtuar shumë rëndësi asaj çfarë mami ka ngjizur në trupin e saj por duke bërë jetën e saj pa e menduar këtë. Pirjet e ndryshme të alkooleve apo të shumë substancave të cilat ndikojnë bebin. Kemi pastaj edhe ushqimet me të cilat ushqehet prindi.
Lindita theksoi se:
Unë mendoj se edhe një nga faktorët është edhe valët telefonike të cilat prindi i mban tek koka gjatë shtatëzanisë. Unë mendoj që kemi të bëjmë edhe me shumë helme që qarkullojnë në ajër që pas luftës së Kosovës.