Futbolli vazhdon të jetë aktiviteti sportiv më i preferuar dhe më i praktikuar nga fëmijët në Shqipëri, sipas raportit “UEFA Grow Market Research”, të realizuar nga UEFA dhe Nielsen.
Studimi tregon se 41% e fëmijëve në Shqipëri luajnë futboll, duke e renditur atë qartësisht në vendin e parë mes të gjitha aktiviteteve sportive. Pas futbollit renditen volejbolli me 22% dhe noti me 12%.
Sipas të dhënave të raportit, gjashtë në dhjetë fëmijë shqiptarë kanë luajtur futboll të paktën një herë gjatë jetës së tyre. Përfshirja është veçanërisht e lartë te djemtë, ku 91% kanë pasur kontakt me futbollin, ndërsa kjo shifër arrin në 36% te vajzat.
Një nga treguesit më pozitivë të studimit është rritja e pjesëmarrjes së fëmijëve në futboll krahasuar me vitin 2016. Aktualisht, tre në pesë djem luajnë futboll, ndërsa pjesëmarrja e vajzave ka shënuar gjithashtu rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit.
Raporti evidenton se rreth dy të tretat e fëmijëve që luajnë futboll e bëjnë këtë në ambiente jo konkurruese, duke e kthyer lojën në një aktivitet argëtues dhe social që kontribuon në zhvillimin e tyre fizik dhe emocional.

Mbështetja e prindërve për futbollin mbetet shumë e lartë. Sipas studimit, 94% e prindërve do ta lejonin fëmijën e tyre të ndiqte një ndeshje futbolli në televizion ose online, ndërsa 92% do ta merrnin fëmijën në një ndeshje të Kombëtares shqiptare.
Përfitimet emocionale dhe fizike janë arsyet kryesore pse fëmijët zgjedhin të luajnë futboll. Në të njëjtën kohë, raporti tregon se arsyeja kryesore pse disa fëmijë largohen nga sporti lidhet me mungesën e kohës ose zgjedhjen për t’u angazhuar në aktivitete të tjera sportive.
Gjetjet e raportit konfirmojnë se futbolli vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në jetën e fëmijëve shqiptarë dhe tregojnë efektet pozitive të programeve të Federatës së Futbollit për rritjen e pjesëmarrjes, përfshirjes dhe aksesit në sport për të gjitha grupmoshat.