Në Qarkun e Durrësit, deri tani janë 1 mijë e 260 persona të akomoduar, nga të cilët 625 në hotele e 360 në palestrat e shkollave. Pjesa tjetër në çadra apo tek të afërmit. Ndërkaq, për 500 të akomoduarit në çadra në Thumanë u vendos sistemimi nëpër hotele të Shëngjinit. Spostim në hotele do të ketë dhe për banorët e Laçit të prekur nga tërmeti. Me vendim të qeverisë, Laçi u përfshi në perimetrin e emergjencës sikurëse Durrësi dhe Tirana ku sipas një bilanci paraprak zyrtar, 3 mijë e 480 persona rezultojnë pa shtëpi e pa strehim. 1 mijë prej tyre u akomoduan në 5 qendra pritëse, të tjerët në çadra dhe te të afërmit.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha pak më parë se për momentin 4 mijë banorë nuk mund të kthehen në banesa. Xhaçka vuri në dukje se kapërcimi i pasojave kërkon kohë. Ndërkaq, sot filloi puna për pastrimin e hotspoteve të shkaktuara nga tërmeti në Durrës dhe në Thumanë. Në Thumanë ku pati 23 viktima, u bë shembja e dy godinave të rrezikshme, ndërsa në Durrës po punohet për pastrimin e gërmadhave, aty ku nuk ka më operacione kërkim-shpëtimi.