Ekipet serbe e malazeze të kërkim-shpëtimit vijojnë punën në rrënojat e Hotel “Miramares” në Plazhin e Durrësit, ku po bëhet një rikontroll procedural. Më herët u hodhën dyshime se aty gjendet një trup i pajetë. Kjo është e vetmja pikë ku vazhdon operacioni, që në Thumanë u mbyll mëngjesin e djeshëm, ndërsa te Këneta e te “Dy Gjelat”, të dyja këto zona të Durrësit, përfundoi pas mesnate. 49 viktima konfirmohen zyrtarisht nga tërmeti shkatërrimtar me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter që u regjistrua në orën 03 e 54 minuta të 26 Nëntorit, me epiqendër pranë Durrësit. 25 persona humbën jetën në Durrës, 23 në Thumanë e një në Laç.