Rreth 90% e shkollave, kopshteve dhe çerdheve publike në Tiranë nuk kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit dhe mësimi do të rinisë normalisht në datën 6 dhjetor. Kurse, fëmijët që mësojnë në shkollat e dëmtuara do të zhvendosen në ato më të afërta, në mënyrë që askush të mos mbetet pas me mësimet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot në shkollën “Musine Kokalari” në Kombinat, e cila është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, nga ku tha se fatmirësisht shumica dërrmuese e shkollave nuk kanë pësuar dëmtime. Ndërsa, për pjesën tjetër të institucioneve arsimore që kanë probleme, shtoi se ato që janë vlerësuar si të papërshtatshme për t’u riparuar, do të prishen, kurse ato me dëmtime më të vogla do të rikonstruktohen. “Lajmi i mirë është se mbi 90% e godinave në Tiranë për shkolla, kopshte dhe çerdhe nuk kanë probleme. Ama, në atë pjesë ku ka probleme do të duhet të marrim disa vendime. Vendimet janë këto: dy shkollat në Pezë dhe në Pezë të Vogël do të prishen sepse nuk mbajnë më, janë struktura të vjetra, të bëra në vitet e skamjes, që nuk mbajnë më rikonstruksion. Për këto vendimi është marrë. Për disa shkolla si “Musine Kokalari”, “Ramazan Jarani”, “Lasgush Poradeci” na duhet të bëjmë një vëzhgim akoma më të thelluar”, u shpreh Veliaj.