Sot në rubrikën “Sy më sy”, kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe komenteve lidhur me arrestimin e Erion Veliajt, duke thënë se ndalimi i tij ishte i panevojshëm, por se nuk mund ta ndalojë ekzekutimin.
Jam kundër ndalimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, është i panevojshëm, por si mund të ndaloj unë ekzekutimin? Këtë ndalim të ekzekutimit e ka bërë dikush që vjen vërdallë përditë, që ulërin “do të shkrij SPAK”-un. Do të shkrijë noc rrokun, por ky është dallimi i madh. Ne duam drejtësi të pavarur dhe europiane, ku prokurori bën detyrën e vet dhe gjykatësi bën arbitrin dhe jo ortakun e prokurorit.
Po ashtu, vuri në dukje se SPAK-u ka marrë të gjithë mbështetjen e tij dhe të Partisë Socialiste.
Për Reformën në Drejtësi marr përsipër autorësinë. Nëse SPAK-un do ta kishte sjellë Amerika, tani që Amerika është tërhequr nga kjo punë do ta kishte marrë me vete. Por, jo, SPAK-u është këtu. E vetmja garanci për vajtjen përpara të SPAK-ut është Partia Socialiste. Rrotullojeni nga të doni, Reformën në Drejtësi e kam bërë unë, me Partinë Socialiste.
Askush nuk mund të thotë se SPAK-u është i kontrolluar nga unë, por ai është një institucion i pavarur. Ne nuk do ta tolerojmë një sistem drejtësie të njëanshëm, jo profesional e në shkelje të standardeve demokratike. Kemi hyrë në një fazë tjetër, na duhet që të kemi një pozicion kritik për të gjitha gjërat që nuk shkojnë.
Ne nuk mund të pranojmë që në emër të pavarësisë, paraburgimi të bëhet një normë për të kapur dhe për të kyçur brenda pa gjyq, këdo qoftë, kur kushtet e domosdoshme që duhen plotësuar për paraburgosje janë shumë të qarta. Këto janë çështje të një diskutimi dhe debati demokratik. Ne duhet të vëmë emrin e Shqipërisë “Albania” në tryezën e familjes europiane, prandaj jam këtu, prandaj dua mandatin e katërt.