Indonezia planifikon të prezantojë një rregullore që do të vendoste një moshë minimale për qasjen në rrjetet sociale për të mbrojtur fëmijët. Këtë ka deklaruar ministri indonezian i Komunikimeve Meutya Hafid. Ajo nuk specifikoi se cili do të jetë kufiri minimal i moshës për të hyrë në rrjetet sociale. Hafid tha se ajo diskutoi planet me presidentin indonezian, Prabhu Subianto dhe se ai dha një falënderim për mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën digjitale. Australia i ka ndaluar fëmijët nën moshën 16 vjeç të hyjnë në mediat sociale dhe ka parashikuar gjoba për platforma të tilla si Instagram, Facebook dhe TikTok nëse nuk i pengojnë fëmijët të hyjnë në përmbajtjen e tyre.
Në Indonezi, e cila ka rreth 280 milionë banorë, 79.5 për qind e tyre kanë përdorur internetin gjatë vitit të kaluar, sipas një sondazhi të kryer nga Shoqata e Ofruesve Indonezianë të Internetit. Sondazhi tregoi gjithashtu se 48 për qind e fëmijëve nën moshën 12 vjeç kanë qasje në internet. Ndërkaq, TikTok-u riktheu shërbimet për 170 milion përdoruesit në Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti i zgjedhur, Donald Trump, u zotua të përdorë një urdhër ekzekutiv për të pezulluar ndalesën federale ndaj platformës, sapo të marrë sot pushtetin. Trump u shpreh se urdhrin ekzekutiv do ta përdorë për t’i dhënë më shumë kohë aplikacionit të videove, në pronësi të ByteDance-it kinez.
Kjo për ta gjetur një blerës të pranueshëm, para se ndalesa e urdhëruar nga Gjykata e Lartë, të zbatohet plotësisht. TikTok-u ndali shërbimet në SHBA dhe u zhduk nga tregjet e aplikacioneve të Apple-it e Google-it, disa orë para se të hynte në fuqi ligji që kërkon ndalimin e tij. Presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump ka thënë se ka të ngjarë të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv pas marrjes së detyrës të hënën për t’i dhënë TikTok një afat 90-ditor shtesë nga dita e vendosur e ndalimit të tij.