TikTok-u riktheu shërbimet për 170 milion përdoruesit në Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti i zgjedhur, Donald Trump, u zotua të përdorë një urdhër ekzekutiv për të pezulluar ndalesën federale ndaj platformës, sapo të marrë sot pushtetin. Trump u shpreh se urdhrin ekzekutiv do ta përdorë për t’i dhënë më shumë kohë aplikacionit të videove, në pronësi të ByteDance-it kinez. Kjo për ta gjetur një blerës të pranueshëm, para se ndalesa e urdhëruar nga Gjykata e Lartë, të zbatohet plotësisht.
TikTok-u ndali shërbimet në SHBA dhe u zhduk nga tregjet e aplikacioneve të Apple-it e Google-it, disa orë para se të hynte në fuqi ligji që kërkon ndalimin e tij.
Falë përpjekjeve të presidentit Trump, TikTok-u është rikthyer në SHBA, njoftoi platforma pak orë pasi i kishte ndalur shërbimet.
TikTok-u deklaroi se i ndali shërbimet për shkak të ligjit federal, i cili i kërkonte kompanisë që zotëron platformën, ByteDance, ta shiste TikTok-un në SHBA deri të dielën.
Pse u ndalua TikTok-u dhe çfarë mund të bëjë Trump për këtë?
Ligji që hyri në fuqi kërkoi që ByteDance t’i ndërpriste lidhjet me operacionet e TikTok-ut në SHBA, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë kombëtare. Megjithatë, autorizoi presidentin Biden t’i jepte afat prej 90 ditësh platformës, nëse është në shitje. Edhe pse investitorët bënë disa oferta, ByteDance deklaroi se nuk do ta shesë TikTok-un.
Trump tha se urdhri i tij do ta “zgjasë periudhën kohore para se të hyjë në fuqi ligji për ndalimin”. Nuk është e qartë si do të rezultojë premtimi i Trump-it nga një këndvështrim ligjor. Kjo pasi Gjykata e Lartë e SHBA-ve e mbështeti njëzëri ndalimin e TikTok-ut të premten dhe vendimi hyri në fuqi një ditë para rikthimit të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë.
Republikani Mike Gallagher, autori i ligjit, tha në Fox News se “nuk ka shtyrje” për TikTok-un.
Po ju them si njeriu që e ka shkruar ligjin, shtyrja ishte brenda një periudhe 270-ditore, e cila u mbyll në orën 12:01 të mëngjesit sot [e diel]. Nëse presidenti certifikon se ekzistojnë dokumente ligjërisht të detyrueshme që tregojnë se shitja e tij është në proces, atëherë do të kishte shtyrje të ndalesës.
Disa ligjvënës që votuan ligjin për shitjen ose ndalimin e TikTok-ut, përfshirë disa republikanë aleatë të Trump-it, vazhdojnë ta mbështesin. Senatori Tom Cotton nga Arkansasi paralajmëroi kompanitë që të mos ofrojnë mbështetje teknike për TikTok-un.
Çdo kompani që strehon, shpërndan, shërben ose ndryshe lehtëson TikTok-un e kontrolluar nga komunistët, mund të përballet me qindra miliarda dollarë përgjegjësi shkatërruese sipas ligjit. Mendohuni mirë!
Avokati i së drejtës kushtetuese dhe biznesit, Kirk McGill, mendon se Trump nuk ka autoritetin ligjor për ta pezulluar ndalesën, por është e pamundur që çështja të arrijë në gjykatë brenda kohës që mund t’i duhet TikTok-ut për të gjetur një blerës.
Mosmarrëveshja mbi lidhjet e TikTok-ut me Kinën ka marrë formën e konkurrencës gjeopolitike ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit. Shtetet e Bashkuara shprehen të shqetësuara për mbledhjen e sasive të mëdha të të dhënave nga TikTok-u, përfshirë të dhënat e ndjeshme, që mund të përfundojnë në duart e qeverisë kineze përmes detyrimit.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se algoritmi që përcakton çfarë shohin përdoruesit në aplikacion është i cënueshëm ndaj manipulimit nga autoritetet kineze, që mund ta përdorin për të formësuar përmbajtjen në platformë në një mënyrë të vështirë për t’u zbuluar.
Ndërkaq, TikTok-u thekson se Amerika nuk ka paraqitur prova që Kina ka tentuar të manipulojë përmbajtjen në platformën e saj atje ose të mbledhë të dhëna të përdoruesve amerikanë përmes TikTok-ut.