Aktualitet

Vetting-u në polici, sot afati i fundit për dorëzimin e vetëdeklarimeve

Për 11 mijë efektivë, sot është dita e fundit e dorëzimit të formularëve të vetëdeklarimit brenda afatit 30 ditor. Procesi që përfshin të gjithë punonjësit, nga titullari, te më i thjeshti, mbështetet te pastërtia e figurës, pasuria dhe aftësitë profesionale. Për Top Channel, zv.Ministri i Brendshëm, Julian Hodaj flet për përmbushjen e pritshmërive: “Deri tani procesi i ka përmbushur pritshmëritë tona. Shumica e punonjësve i ka dorëzuar formularët. Policia e Shtetit dhe Garda, duke qenë se kanë numra të mëdhenj, kishin parashikuar edhe struktura asistence për punonjësit”. Vetting-u nuk vlen për të dorëhequrit nga rradhët e Policisë: “Ata që kanë dhënë dorëheqjen nuk janë më punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo SHÇBA-së, kështu që nuk mund t’i nënshtrohen këtij procesi. Vetting-u vlen vetëm për ata që janë në detyrë e duan të vazhdojnë në detyrë.” Zv.Ministri i Brendshëm, Julian Hodaj.