Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës, përfundoi me një rezultat të barabartë 0-0, në një përballje të tensionuar dhe shumë të pritur, e zhvilluar në Tiranë. Përveç lojës në fushë, vëmendja e mediave ballkanike ishte e përqendruar edhe jashtë stadiumit, ku ndodhi një skenë që bëri xhiron e rrjeteve sociale.
Gjatë një lidhjeje direkte të televizionit Al Jazeera, një tifoz shqiptar iu afrua gazetarit serb Milan Boskovic dhe e puthi në faqe – një gjest simbolik që theu pritshmëritë për tension dhe solli një mesazh paqeje. I ftuar në një lidhje me Skype për “Wake Up”, vetë gazetari Milan Boskovic ka treguar ndjesitë e tij pas këtij momenti viral, si dhe përshtypjet për Tiranën…
Si e prite puthjen?
Ishte puthje shqiptare, jo franceze, kështu që ishte një fillim i mbarë (qesh). Këto janë gjëra që ndodhin në raportime live. Kam pasur një situatë të ngjashme në Rusi, ku marrë dy puthje në faqe njëkohësisht. Nuk jam i sigurt nëse tifozi e dinte se nga isha, por është një mesazh i mirë që transmetohet, që të kalojmë mirë dhe të luajmë futboll.
E prisje që të bëhej viral ky moment?
Sot bëhen virale të tilla gjëra, më shumë në Shqipëri se sa në Serbi, sepse disa media atje nuk i kushtuan shumë vëmendje. Jam i lumtur që këto gjëra po bëhen të njohura dhe ne mund të shkojmë mirë bashkë.
Ishte hera jote e parë në Tiranë? Çfarë përshtypjesh të la?
Ishte hera e parë në Tiranë dhe jam plot përshtypje të mira. Ishte një surprizë e këndshme për mua. Tirana është një qytet i këndshëm dhe me njerëz të këndshëm. U kënaqa. Ishte ndryshe nga atmosfera e ndeshjes. Gjë që do të thotë se shumë njerëz që erdhën për ndeshjen, nuk ishin nga Tirana, kishin ardhur dhe për arsye politike. Por këtë dua ta lë mënjëanë.
Si u raportua ndeshja nga mediat serbe?
Ka ende reagime, kishte shumë tension si brenda ashtu dhe jashtë stadiumit. Kishte njerëz që kishin ardhur për politikë dhe jo për futbollin. Për mua lojtarët janë heronjtë e vërtetë, nuk kishte incidente në fushë mes të dy palëve, të dy skuadrat ishin fantastike dhe duhet t’i marrim shembull.
Do të riktheheshe sërish në Tiranë?
Bota është shumë e madhe, kam ende vende për të vizituar. Nëse më bie rasti për t’u rikthyer në Shqipëri, do të më pëlqente.