Aktualitet

Vidhte bizneset në Shijak, kapet 27-vjeçari/U zbulua nga kamerat e sigurisë!

Policia e Shijakut vuri në pranga një 27-vjeçar të akuzuar për vjedhje në disa biznese në zonë. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Shumat”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetasit R.T., 27 vjeç, banues në Shijak.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas dyshohet të jetë edhe autori i tre vjedhjeve të kryera më herët në biznese të ndryshme në zonën e Shijakut, ku ka vjedhur shuma parash dhe sende me vlerë dhe aksesorë të ndryshëm, në market dhe në dy biznese në fshatrat Borak dhe Xhafzotaj të Shijakut.

Siç shihet nga pamjet e kamerave të sigurisë të vendosura në një prej bizneseve, 27-vjeçari hap me forcë me ndihmën e një leve derën dhe më pas kryen vjedhjen duke marrë xhiron ditore.

Në bashkëpunim me Prokurorinë policia vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të disa rasteve të tjera të vjedhjes që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Në cilësinë e provës materiale, 27-vjeçarit i janë sekuestruar rrobat e përdorura gjatë kryerjes së vjedhjeve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhje”.