Aktualitet

Vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike në Fier, prishen mure dhe struktura metalike në lagjen ‘8 Shkurti’

Policia bashkiake ka vijuar edhe sot aksionin për lirimin e hapësirave publike në lagjen “ 8 shkurti” në Fier.

Pas njoftimeve paraprake janë ndërmarrë ndërhyrje për prishjen e obiekteve, mureve, konstruksioneve metalike dhe gardheve në fuksion të zgjerimit të hapësirave të përbashkëta për një qytet më funksional.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike vijon prej disa ditësh në disa qytete të vendit. Aksioni ka në fokus çlirimin e trotuareve, shesheve dhe hapësirave të përbashkëta nga ndërtimet pa leje, tavolinat, kioskat dhe strukturat e përkohshme që kanë zaptuar territorin publik.

Qeveria ka miratuar një seri ndryshimesh në Rregulloren e Zhvillimit të Territorit, që prekin drejtpërdrejt lejet e ndërtimit, hapësirat publike dhe projektet në zonat rurale. Vendimi i Këshillit të Ministrave synon të frenojë abuzimet me ndërtimet, të ndalojë bllokimin e rrugëve dhe hapësirave të përbashkëta dhe të përshpejtojë procedurat për investitorët që veprojnë ligjërisht.

Ndalohet vendosja e trarëve, rrethimeve apo çdo pengese në pronat që janë pjesë e rrugëve të kalimit apo lidhjeve me hapësira publike, madje edhe kur këto servitute nuk janë të regjistruara.

Nuk do jepen leje ndërtimi në prona që janë parashikuar për sheshe, rrugë apo parqe, edhe nëse janë private.

Çdo kërkesë për leje, ndryshim projekti apo certifikatë përdorimi do refuzohet automatikisht nëse tarifa nuk paguhet brenda 15 ditëve nga njoftimi.