Aktualitet Politikë

Kryeministri Rama prezanton Kryeinspektoratin Digjital të Territorit!

Në një postim në Facebook, kryeministri Edi Rama publikoi një video nga puna e atij që e quajti Kryeinspektorati Digjital i Territorit. Shefi i qeverisë shkruan:

Videoja është një fragment i shkurtër i  informacionit që ky Kryeinspektorat po mbledh nëpër Shqipëri, për të filluar punën  për zbatimin e masave të reja ligjore të kontrollit të territorit. Ky Kryeinspektorat do të mbulojë hap pas hapi të gjithë gamën e aktiviteteve shoqërore e shtetërore në territor, nga kontrolli i ndërtimeve tek taksat e tarifat vendore, nga prodhimi bujqësor tek mbrojtja e pyjeve dhe lumenjve, duke e bërë punën e strukturave përkatëse më të lehtë, si edhe duke i bërë zullumet e llojllojshme shumë më të vështira.

Në një tjetër zhvillim, sot në mëngjes, kryeministri Edi Rama ka nisur një takim informal dyditor me kabinetin qeverisës. Ky takim po zhvillohet në Tiranë për të diskutuar realizimin e detyrave të lëna nga takimi i fundit i të njëjtit format.

Ministrat duhet që të raportojnë në lidhje me ecurinë e përmbushjes së objektivave për çdo ministri përmes një analize të thellë e të detajuar. Pjesë e diskutimeve janë edhe tematikat aktuale bashkë me iniciativat më të fundit të drejtuara nga vetë Rama, të lidhura me hapësirat publike. Ndërkaq, në ditën e dytë do të flitet për objektivat dhe prioritetet qeverisëse pas marrjes së mandatit të katërt nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit.