Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mohon se mbrojtja e saj e afërt ka arrestuar kameramanin nga një media lokale pranë një shkolle private ku ndjekin mësimet vajzat e saj në Prishtinë. Operatori i portalit Paparaci, Jetmir Muji u mbajt për disa orë në qendrën policore në kryeqytet, pasi ishte ndaluar teksa po xhironte për një raportim për shkollimin e vajzave të presidentes të mërkurën.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehu alarm dhe shqetësim me ndalimin e tij, duke e cilësuar “arbitrar”. Osmani sot i thirri në takim gazetarët duke dhënë sqarime për ngjarjen e tha se është “gënjeshtër tjetër se kinse mbrojtja ime e afërt e ka arrestuar një gazetar”.
Unë vetë kam kërkuar nga mbrojtja ime e afërt që të mos i prekin [gazetarët] me dorë. Ata nuk arrestojnë gazetarë, kanë qenë në kryerjen e detyrës zyrtare. Inçizimi i paautorizuar është vepër penale. Shkolla private ku vajzat ndjekin mësimin, ka qenë shenja që ndalohet incizimi i paautorizuar.
Portali Paparaci tha se nuk ka publikuar pamje të dy vajzave të presidentes. Prokurori i cili hetoi këtë rast dhe urdhëroi lirimin e Mujit, Rrahim Podvorica, deklaroi për Kallxo.com se ky rast nuk ndërlidhet me vepër penale.
Mua, kur më kanë njoftuar ma kanë shpjeguar gjendjen. Më kanë thënë që këtu nuk ka vepër penale, sepse e ka bërë incizimin në vend publik. Në këto rrethana unë iu kam thënë që ta lirojnë personin në fjalë. Për momentin nuk ka pasur elemente që të hapet rast. Në ato rrethana nuk ka pasur elemente të veprës penale, u shpreh Podvorica.
Osmani theksoi se i ka dërguar vajzat në shkollë private për shkak se ajo publike, “Ismail Qemali”, ku deri tani ndiqnin mësimet, nuk plotësonte kushtet e sigurisë të kërkuara nga organet kompetente.
Eshtë ndryshe kur një shkollë ka vetëm një hyrje, ndryshe kur janë shumë hyrje. Madje ju vetë keni raportuar për rreziqet e ndryshme në shkolla, për armët, thikat, drogën.
Gjithashtu pretendoi se ka marrë shumë kërcënime dhe e kritikoi gjyqësorin për “mosndërmarrjen e masave”.
Ka një kërcënim që ka ardhur nga serbët në Twitter (tani X) dhe shumë e shumë kërcënime të tjera që zakonisht drejtohen për fëmijët e mi. Është hera e vetme që në historinë e Kosovës, nuk kanë marrë asnjë masë. Ju e dini që shumë mirë që çdo politikan kur kërcënohet i shohim shumë shpejt të akuzuarit para gjykatës. Dhe unë i përgëzoj institucionet që bëjnë një gjë të tillë, mirëpo është hera e vetme që në historinë e vendit tonë që një president ka dhjetëra kërcënime dhe asnjë person nuk është arrestuar.