Vllaznia ka dhënë sot një provë force teksa ka mundur një rival direkt në renditje si Elbasani me shifrat 1-0.
Por më shumë se rezultati, ra në sy dominimi i shkodranëve, sidomos në pjesën e parë të takimit, ku ata krijuan lojë e raste të shumta, me shifrat që mund të ishin shumë më të thella në favor të tyre, pasi edhe goditën dy herë shtyllat e portës së Janaçek.
Zgjimi i Elbasanit ishte shumë i vonuar, ndonëse verdheblutë u munduan në fund të vendosnin baraspeshën. Por shkodranët ia dolën me mjeshtëri të administronin minutat dhe morën tre pikët që i duheshin për të lënë pas rivalët direkt në renditjen e Superiores.
Sfida është shoqëruar me incidente në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Tifozët verdheblu kanë thyer disa stola, të cilat janë hedhur më pas në pistën e stadiumit.
Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, ishte i lumtur që skuadra e tij po arrin të shprehë në fushë atë që po tregon edhe në stërvitje gjatë gjithë javës dhe theksoi se ndaj Elbasanit, skuadra duhej të kishte shënuar shumë më tepër.
“Nuk ka pasur ndeshje tjetër ku kemi rënë në pjesën e dytë. Kishim shumë mungesa dhe nuk iu përgjigja ndërrimeve të Elbasanit, mungesat ndikuan në pjesën e dytë. Në minutat e fundit ia kemi dalë edhe në ndeshje të tjera, si me Partizanin. Përgëzoj Elbasanin për pjesën e dytë, një ekip bëhet më i mirë kur vuan si ne në minutat e fundit. Dua të përgëzoj djemtë për atë që dhanë në fushë dhe gëzohem kur shoh këto njerëz që gëzojë në “Loro Boriçi”. Ndaj Vorës ishte vetëkënaqësi, jo nga gjendja fizike. Sot ishim në vështirësi fizike. Nuk ia dolëm të godasim kundërshtarin, duhet të kishte më shumë gola për ne në pjesën e parë, por komplimentoj djemtë për atë që dhanë në fushën e lojës”, tha Martini.
Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ndër të tjera deklaroi:
“Kur humbet ndeshjen, nuk humbet mirë, por do të bëjmë tani një analizë të shkurtër. Në pjesën e parë Vllaznia ishte skuadra më e mirë, mund të shënonte edhe gol tjetër. Në pjesën e dytë ishim ne më mirë. Ndoshta edhe barazimi ishte rezultati i drejtë. Iu dhashë shansin lojtarëve që aktivizova, iu erdhi koha, sepse edhe në javët e para të kampionatit ishin titullarë. Të gjithë meritojnë minuta. Bëmë freskim. Ideja ishte të fitonim cilësi dhe rritëm. Në pjesën e parë gabuam në tranzicion. Në pjesën e parë ishim shumë të hapur anësh me Delajn dhe Bunjakun, ishim si 4-2-4, ideja ishte për 4-2-3-1. Ishte një gropë në mesfushë, ishte e vështirë për Manellarin dhe Kasën të mbulonin hapësirat”, tha Gvozdenoviç.