Tre plazheve në Vlorë iu pezullua sot aktiviteti në bregdet për shkak të mungesës së vrojtuesve. Bashkia ka ngritur një ekip Task Force që vijon verifikimet në 153 plazhe duke dokumentuar deri tani, vendosjen e vrojtuesve në 70 prej tyre. Subjekteve që nuk zbatojnë ligjin, iu bllokohen çadrat. Ndërkaq nënkryetari i Bashkisë Vlorë, Shkëlqim Rama është shprehur se policia bashkiake ka ngritur task-forcë për çështjen e sigurisë në plazhe. “Nga ana jonë nuk do të ketë asnjë tolerim për plazhet që nuk respektojnë rregullat për sigurinë e pushuesve të tyre. Plazhet që u mbyllën ishin pa roje bregdetare pra nuk i plotësonin këto kushte sigurie”. Që nga hapja e këtij sezoni, në plazhe kanë humbur jetën plot tetë persona. Bashkia e Vlorës është bërë i pari qytet bredgetar që ndërmerr një hap të tillë për sigurinë e pushuesve të saj.