Presidentja e Komisionit Europian (KE), Ursula von der Leyen tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe e Ukrainës është në Bashkimin Europian (BE). Sot gjatë një fjalimi vjetor para deputetëve të Parlamentit Europian në Strasburg, Von der Leyen deklaroi:
Unioni nuk mund t’i lërë vetëm bashkëkombësit tanë. E ardhmja e Ukrainës është në BE. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. E ardhmja e Moldavisë është në BE. E di se sa e rëndësishme është perspektiva europiane edhe për shumë njerëz në Gjeorgji.
Fjalimi për “Gjendjen në Union” është momenti më i rëndësishëm vjetor për BE-në. Ky fjalim përfshin veprime që Brukseli zyrtar synon të ndërmarrë përmes legjislacionit dhe nismave të tjera deri në fund të vitit të ardhshëm.
Europa përgjigjet ndaj thirrjeve historike. Historia na fton që të përmbyllim ndërtimin e unionit tonë. Në botën ku disa tentojnë t’i nënshtrojnë vendet një nga një, ne nuk mund t’i lëmë vetëm bashkëkombësit tanë europianë. Në botën ku madhësia dhe pesha janë të rëndësishme, përmbyllja e unionit tonë është interes strategjik i BE-së.
Zyrtarja e lartë përmendi rajonin e Ballkanit kur foli për bashkëpunimin në menaxhimin e emigracionit të paligjshëm.
Pakti i BE-së për emigrimin ka siguruar një barazpeshë mes të drejtave të njeriut dhe ruajtjes së kufijve, mes sovranitetit e solidaritetit, mes sigurisë dhe njerëzve. Kemi bashkëpunuar ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke zvogëluar valët e paligjshme të emigrimit.
Në gusht, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati kur Bashkimi Europian dhe vendet kandidate të jenë gati për zgjerim gjatë Forumit Strategjik të Bledit. Vendeve të Ballkanit Perëndimor iu premtua perspektivë europiane prej vitit 2003, gjatë një samiti në Selanik. Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga shtetet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.
Ka vite që negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i filluan edhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut. Bosnjë-Hercegovina mori statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm MSA-në, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.