Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, kryeministri Albin Kurti, sërish kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, sapo votoi në mjediset e Fakultetit Ekonomik në Prishtinë. Kurti inkurajoi qytetarët, të hedhin votën. “Ushtrojeni të drejtën demokratike, për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet. Përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për katër vitet e ardhshme”, – tha Kurti.
Të tjerë kandidatë për kryeministër në këto zgjedhje janë Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë. Haradinaj e Hamza votuan e apeluan për pjesëmarrje.
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, votoi në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë. Abdixhiku ftoi të gjithë qytetarët me të drejtë vote, të votojnë, siç tha, “që të vendosin për fatin e tyre dhe të Republikës së Kosovës” për katër vitet e ardhshme.
Ndërsa në Kosovë po mbahen parlamentaret, pesë persona u ndaluan për veprën penale “Cënim i përcaktimit të lirë të votuesve”, siç bëri të ditur Prokurori i Shtetit. Po ashtu, njoftoi se ka angazhuar rreth 100 prokurorë e staf të sistemit të Prokurorisë, që të procedohet çdo parregullsi e mundshme në zgjedhje.
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, raportoi se për arsye të ndryshme, 9% e 2 mijë e 589 vendvotimeve u hapën me vonesë në Kosovë. DnV-ja po monitoron zgjedhjet parlamentare me 500 vëzhgues, në 500 vendvotime.
Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Europian, Nathalie Loiseau, deklaroi se 104 vëzhgues janë në terren, në kuadër të misionit, duke mbikëqyrur votimet në Kosovë. Loiseau paralajmëroi konferencë për të martën e datës 11 shkurt, për të përmbledhur ecurinë e këtij procesi.
Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Po ashtu, 4 kandidatët për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë. Të drejtë vote kanë mbi 2 milon qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës.